“Si përfaqësues i familjes së të dëmtuarve, jemi të kënaqur me këtë zhvillim” Koci flet pasi Gjykata e Pejës vendosi për rigjykim në rastin e Gllogjanit

Gjykata Themelore në Pejë nuk e ka shpallur aktgjykimin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan në vitin 2021. Në vend të shpalljes së vendimit, trupi gjykues ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim. Pas përfundimit të seancës, avokati i familjes së të dëmtuarve, Arianit Koci, deklaroi…

Lajme

10/07/2026 15:06

Gjykata Themelore në Pejë nuk e ka shpallur aktgjykimin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan në vitin 2021.

Në vend të shpalljes së vendimit, trupi gjykues ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim.

Pas përfundimit të seancës, avokati i familjes së të dëmtuarve, Arianit Koci, deklaroi se gjatë procedurës është administruar një provë e re, e cila, sipas tij, ka ndikuar në vendimin për rihapjen e shqyrtimit të rastit.

“Si përfaqësues i familjes së të dëmtuarve, jemi të kënaqur me këtë zhvillim. Pas përfundimit të procedurave do të merret edhe vendimi përfundimtar. Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj. Bëhet fjalë për një video dhe për fjalën përfundimtare të prokurores”, tha Koci.

Sipas aktakuzës, tre të akuzuarit dyshohen se e kanë kryer sulmin për motive hakmarrjeje, duke pasur si cak shoferin e autobusit, të ndjerin Gani Gjokaj, të cilin familja Mehmetaj e konsideronte përgjegjës për vetëvrasjen e Heroina Mehmetajt. Si pasojë e të shtënave, humbën jetën edhe dy nxënës 17-vjeçarë, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur rëndë. Prokuroria pretendon se sulmi ishte planifikuar me kujdes dhe u realizua në bashkëveprim nga tre të akuzuarit.