Si ja bëri Isa Mustafa të pamundur Fatmir Sejdiut të jetë në listën e LDK-së

Ish kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga partia që dikur e drejtonte. Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, ku edhe ka treguar bisedat që ka zhvilluar paraprakisht me liderin aktual të partisë, Isa Mustafa. 

Lajme

17/05/2014 19:33

Kryetari i Nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka treguar se cilat janë arsyet që ai nuk do të jetë në listën e LDK-së për deputet në zgjedhjet e 8 qershorit. 

Ai në një  njoftim për media ka treguar se ka pasur një ofertë për takim nga Isa Mustafa, por ky i fundit me veprimet e tij, pavarësisht gatishmërisë së Sejdiut për takim në lidhje me listën e kandidatëve për deputet, e kishte bërë të pamundur këtë.

Mustafa i kishte kërkuar Sejdiut që të takoheshin të martën, por kur ky i fundit ishte shprehur i gatshëm, lideri i LDK-së, kishte kërkuar që takimi të ndodhte të mërkurën. Kjo ditë nuk i përshtatej Sejdiut, i cili kishte termin për udhyëtim zyrtarë jashtë vendit, gjë me të cilën e kishte njoftuar edhe Mustafën, por ky nuk kishte dhënë shenja se është shumë i interesuar për takim. 

“Të hënën, më datë 12 maj, mora një mesazh telefonik (sms) nga z. Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, në të cilin ai theksonte se është i interesuar të takoheshim të nesërmen, pra të martën, për të biseduar lidhur me zgjedhjet. Është kjo koha kur tashmë përfundonte propozimi për kandidatë që bëheshin nga degët e LDK-së, pra një ditë mbasi të mbyllej ky proces”.

“Pavarësisht, nga ky fakt, me vullnetin e mirë ia ktheva përgjigjen se nesër mund të takoheshim”. 

“Tek të nesërmen, kur unë pritja se do të saktësojmë kohën e takimit, mora një mesazh tjetër, në të cilin z. Mustafa kërkonte shtyrjen e takimit për të mërkurën. E njoftova se unë do të duhet të udhëtoja jashtë të mërkurën herët në mëngjes dhe nuk do të isha në Kosovë deri të premten vonë, që nënkuptonte se mund të takoheshim kurdo gjatë të martës. Nuk pati një përgjigje pohuese”. 

“Kështu edhe ky pretendim për takimin mori fund, ndërsa unë udhëtova sipas itinerarit që e kisha caktuar javë më parë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Sejdiu.

Ai tha se te enjten kishte marr mesazh nga Isa Musta, nëse dëshiron të jetë në listën e deputetë. Përgjigja e Sejdiut kishte qenë që të mos manipulohej me emrin e tij. 

“Të enjten mora një mesazh po nga z. Mustafa ku kërkohej pëlqimi im për të qenë kandidat në listën e LDK-së, pa specifikuar asnjë detaj tjetër. Unë i kërkova atij që të mos përdorej emri im pa biseduar paraprakisht për këtë çështje dhe çështje të tjera me interes për Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke nënvizuar peshën e këtij procesi”. 

“Unë jam kthyer në Prishtinë herët në mëngjesin e së shtunës, ndërkohë që në mbrëmjen e së premtes ishin dorëzuar në KQZ listat me emrat e 110 kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet e 8 qershorit, dhe emrat e të 110 kandidatëve ishin bërë publik nga udhëheqja e LDK-së”. 

“Unë sot kam takuar z. Isa Mustafa, të cilit i kam shprehur qëndrimin tim rreth procesit të kandidimeve për deputetë për zgjedhjet e 8 qershorit”. 

“Duke marrë parasysh gjithë këtë proces dhe vënien e emrit dhe autoritetit tim politik dhe intelektual në kontekste joserioze, në mënyrën siç është bërë dhe prezantuar nga lidershipi i LDK-së, si dhe faktin se LDK i ka dorëzuar dhe janë publikuar emrat e 110 kandidatëve, etika ime nuk lejon që akëcili prej tyre të largohet nga lista e publikuar, prandaj unë kam vendosur për të mos qenë pjesë e listës së bërë nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 qershor”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Fatmir Sejdiut”.