Si e dënoi Gjykata Thaçin për rastin e Allaqit? Ramabaja e Kurteshi kishin bërë më herët deklarata publike për të
Gjatë leximit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjyqtari Charles L. Smith III para shpalljes së vendimit ka paraqitur konstatimet e Trupit Gjykues lidhur me rastin e Behajdin Allaqit. Sipas Smith, ish-presidenti Hashim Thaçi ka marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Allaqit, raporton lajmi.net “Zotëri Thaçi mori pjesë personalisht…
Lajme
Gjatë leximit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjyqtari Charles L. Smith III para shpalljes së vendimit ka paraqitur konstatimet e Trupit Gjykues lidhur me rastin e Behajdin Allaqit.
Sipas Smith, ish-presidenti Hashim Thaçi ka marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Allaqit, raporton lajmi.net
“Zotëri Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimet, ndalimet dhe marrjen në pyetje të 30 personave në Cirezë dhe Bajicë, si dhe në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit”, tha Smith.
Rasti i Behajdin Allaqi ishte përmendur publikisht edhe para nisjes së procesit gjyqësor në Hagë. Më 3 qershor 2021, atëkohë anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, kishte deklaruar se Thaçi duhej të përgjigjej për akuza që, sipas tij, lidhen me Hallaqin dhe raste të tjera të vrasjeve gjatë dhe pas luftës.
“Gjykata në Hagë është edhe produkt i Hashimit dhe insistimi i tij dhe duart e thyera të deputetëve e dëshmojnë pikërisht ka qenë ai. Mua më vjen keq që UÇK do të përballet me akuza të rënda, për shkak të veprimeve të pamatura gjatë luftës dhe pas luftës të një grushti të vogël njerëzish. Në këto pikëpamje ne duhet ta bënim avokatin e UÇK-së duke hedhur dritë mbi drejtësinë mbi luftën e Kosovës, jo mbi pastërtinë, sepse nuk ka luftëra të pastra, por luftë të drejtë dhe jo të drejtë. Thaçi mendoj se duhet të përgjigjet për disa akuza të rënda se Behajdin Allaqi se ai në qiellin e shtatë nuk ka shkuar vetë edhe për vrasje të tjera që janë kryer gjatë luftës dhe pas luftës duhet të përgjigjet dikush”, kishte thënë Ramabaja.
Ndërkaq, edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, kishte folur më herët për rastin e Hallaqit dhe kishte ngritur akuza ndaj Thaçit lidhur me fatin e tij.
“Shumë ua ka bërë ju dua dhe nuk ekzistojnë më fare – ia ka vrarë? Nuk e di, por Ali Uka nuk jeton më, Behajdin Allaqi nuk jeton më, këta janë njerëz që kanë qenë ose afër ose shumë afër me z. Thaçi dhe nuk jetojnë më”, kishte deklaruar Kurteshi.
Sot, gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, rasti i Behajdin Allaqit u përfshi në konstatimet e Trupit Gjykues, duke e rikthyer në vëmendje edhe deklaratat e mëhershme publike të zyrtarëve dhe figurave politike në Kosovë.
Trupi Gjykues sot dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese./Lajmi.net/