Si duhet të zgjidhet konflikti Kosovë-Serbi sipas Vuçiqit?
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në një shkrim autorial për Blicin serb, ka treguar për mënyrën se si Kosova dhe Serbia duhet të përmirësojnë raportet.

Lajme
Ai ka bërë të ditur se një konflikt tjetër nuk do t’i bënte mirë asnjërit nga shtetet.
“Unë do të doja si president i Serbisë për të bërë një përpjekje që të zgjidhim konfliktet njëherë e përgjithmonë. Një konflikt do të ishte dështim i përbashkët si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Gjetja e zgjidhjeve kërkon të menduarit me kokë të kthjellët dhe në mënyrë të vazhdueshme, me një zemër të ftohtë nga emocionet, me kompromise si nga ana jonë ashtu edhe e shqiptarëve”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net
Ai këtë situatë e ka krahasuar me një deklaratë të Simon Peres, i cili disa herë ishte pyetur se pse po negocionte me Palestinën.
“Kur Simon Peres u pyet se pse po insiston në negociata me Palestinën, ai tha: për shkak se kjo do të hap një strehë të paqes në gjithë Mesdheun, dhe për shkak se kjo është detyrë e udhëheqësve, që të japin paqe, madje edhe kur përballen me armiqësi dhe dyluftim”, ka shtuar presidenti serb.
“Heshtja do të thotë se ne nuk kemi asgjë më shumë për të kërkuar. Ne nuk jemi të gatshëm për konflikt. Heshtja është karakteristikë e atyre që mendojnë se kanë të drejtë. Kjo është arsye pse zgjidhja nuk është me gënjeshtra, por nuk qëndron as në mohimin dhe heqjes dorë nga intereset tona kombëtare”, ka thënë ai.
Në këtë shkrim autorial, presidenti serb indirekt kishte bërë të ditur se Kosova është e humbur, dhe Serbia duhet t’i ruajë ato që aktualisht i ka.
“Është koha që si komb të rrimë në kokën tonë dhe të jemi realist, nuk ia lejojmë vetes për të humbur atë që kemi, dhe jo të presim të marrim në duar tona atë që kohë më parë e kemi humbur”, kishte deklaruar presidenti i Serbisë. /Lajmi.net/