Si do të ndikojë situata në Venezuelë në tregtinë me aleatët e saj?
Sulmet e ushtrisë amerikane në Venezuelë dhe deklaratat pasuese të bëra nga presidenti Donald Trump, kanë shtuar mundësinë e një rritjeje masive të prodhimit të naftës venezuelase nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara. Nuk është e qartë se kur, si apo edhe nëse kjo mund të ndodhë. Por, Venezuela ka rezervat më të mëdha të…
Bota
Sulmet e ushtrisë amerikane në Venezuelë dhe deklaratat pasuese të bëra nga presidenti Donald Trump, kanë shtuar mundësinë e një rritjeje masive të prodhimit të naftës venezuelase nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Nuk është e qartë se kur, si apo edhe nëse kjo mund të ndodhë. Por, Venezuela ka rezervat më të mëdha të dëshmuara të naftës në botë dhe Trump ka sugjeruar se kompanitë amerikane do t’i çojnë ato në tregje.
Nafta e papërpunuar e Venezuelës kërkohet shumë, pasi është ideale për rafineritë e specializuara – sikurse ato në Bregun e Gjirit të SHBA-së – që kanë njësi të posaçme që u lejojnë ta përpunojnë këtë naftë të rëndë në një produkt me fitim të lartë si benzina dhe dizeli.
Rusia
Furnizimi i fortë bëri që çmimet e naftës të shënonin rënien më të madhe vjetore më 2025 që nga pandemia e COVID-19 që shkaktoi një kolaps të aktivitetit ekonomik botëror më 2020.
Për Moskën, këto rënie veçse kanë pasur ndikim dhe ngjarjet në Venezuelë pas arrestimit të udhëheqësit të rrëzuar venezuelas, Nicolas Maduro, vetëm sa mund ta shtojnë dhimbjen.
“Nëse ‘partnerët’ tanë amerikanë marrin kontrollin e fushave të naftës në Venezuelë”, shkroi oligarku Oleg Deripaska më 3 janar, “ata do të kontrollojnë mbi gjysmën e rezervave të naftës në botë. Ata me siguri planifikojnë që çmimet tona të naftës të mos shkojnë më shumë sesa 50 dollarë për fuçi”.
Deripaska është një nga pak oligarkë që kanë kritikuar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që Rusia e nisi më 2022. Por, deklaratat e tij reflektojnë interesin e Kremlinit për të mbajtur të larta çmimet e naftës.
“Mundësia që Shtetet e Bashkuara të fitojnë ndikim mbi prodhimin e naftës venezuelase… është qartësisht e papëlqyeshme për Moskën”, tha për Radion Evropa e Lirë, analistja politike me seli në Berlin, Alexandra Sitenko.
Nuk është e qartë nëse SHBA-ja do të marrë kontrollin mbi naftën e Venezuelës. Presidentja e përkohshme Delcy Rodriguez, e betuar në Parlamentin e Venezuelës më 5 janar, ka bërë komente të paqarta rreth bashkëpunimit me Uashingtonin për këtë gjë, por fuqia e saj reale dhe qëllimet e saj gjithashtu nuk janë të qarta.
“Do të nevojiteshin investime të konsiderueshme që Venezuela të përmbysë rënien e prodhimit të vërejtur gjatë dekadave të fundit”, tha për REL-in një zëdhënës i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Sitenko tha se, duke pasur parasysh këto sfida, të shkaktuara nga keqmenaxhimi për një kohë të gjatë dhe sanksionet ndërkombëtare, rritja e prodhimit do të kërkonte kohë.
“Në aspektin strategjik, Kremlini me gjasë do të jetë më i shqetësuar për fuqinë mbi tregun sesa vetëm për vëllimet e prodhimit. Zgjerimi i ndikimit të SHBA-së mbi naftën venezuelase do të forconte aftësinë e Uashingtonit për të formësuar rrjedhat globale të energjisë dhe çmimet, potencialisht duke minuar mekanizmat koordinuese sikurse OPEC+, te të cilët Rusia gjithashtu mbështetet për të stabilizuar të ardhurat e saj”, shtoi Sitenko.
Për shkak se Venezuela është shtet i izoluar, kompanitë perëndimore u larguan nga vendi, me përjashtim të të gjigantit amerikan të naftës Chevron.
“Aty ku [sektori] nuk është shkatërruar, janë kompanitë ruse, iraniane dhe kineze. Natyrisht, SHBA-ja dëshiron t’i largojë ato”, tha për Shërbimin rus të REL-it analisti politik, Ivan Preobrazhensky.
Nga ana tjetër, mund të ketë hapësirë për bashkëpunim. Uashingtoni ka sinjalizuar se është i interesuar për përfitime ekonomike nga bashkëpunimi me Moskën. Strategjia e Sigurisë Kombëtare flet për dëshirën për të “rivendosur stabilitetin strategjik me Rusinë.”.
Rusia është ndier gjithashtu e kërcënuar nga njoftimi i presidentit Trump të bërë në dhjetor për një bllokadë të cisternave të sanksionuara që shkojnë drejt ose vijnë nga Venezuela, duke rritur nivelin e rrezikut dhe pasigurisë për flotën ruse në hije, të cilën Moska e përdor për të shmangur sanksionet.
Irani
Bllokada është një nga shumë faktorët që e ekspozojnë Iranin ndaj të njëjtave rreziqe sikurse Rusia, siç u tha muajin e kaluar kur forcat amerikane sekuestruan një cisternë nafte që ishte pjesë e flotës në hije të Iranit, teksa ajo po lundronte pranë brigjeve të Venezuelës.
Për vite me radhë, Venezuela e ka ndihmuar Iranin që të shmangë sanksionet ndërkombëtare.
Një produkt kyç, të cilin Venezuela e ka siguruar edhe nga Rusia, është diluanti – agjent që përdoret për naftës së trashë dhe të rëndë venezuelase. Duke përdorur anije të flotës në hije, Irani ka eksportuar sasi të mëdha diluanti në Venezuelë në këmbim të naftës (që më pas e ka dërguar në Kinë) dhe të arit.
Venezuela ka blerë po ashtu armë iraniane, teksa SHBA-ja ka vendosur sanksionet e fundit për armët më 30 dhjetor. Në njoftimin për sanksionet është përmendur blerja e dronëve dhe “armëve konvencionale” si dhe e kimikateve për raketat balistike.
E ardhmja e këtyre tregtive fitimprurëse duket e pasigurt, në mes të pranisë së madhe të flotës amerikane që aktualisht ka në Karaibe.
Ndërkohë, edhe mes trazirave të vazhdueshme politike në Iran, disa media iraniane kanë spekuluar se fati i borxhit prej 2 miliardë dollarësh të Venezuelës ndaj Teheranit është në dyshim.
Kina
Kina është një tjetër partnere kyç e Venezuelës dhe ka thënë se “e dënon fuqishëm përdorimin flagrant të forcës nga SHBA kundër një shteti sovran”.
Shfaqja e fundit e Maduros në publik, disa orë para kapjes së tij nga forcat amerikane, ishte në një takim me Qiu Xiaoqi, të dërguarin e Kinës për çështjet e Amerikës Latine. Maduro u takua gjithashtu me udhëheqësin kinez Xi Jinping në Moskë vitin e kaluar.
Daniel Sternoff, nga Qendra për Politika Globale të Energjisë në Shkollën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia, sugjeroi se kontrolli amerikan mbi industrinë e Venezuelës mund t’i vë në rrezik këto furnizime.
“Eksportet e naftës venezuelase mund të ridrejtohen nga Kina drejt Bregut të Gjirit të SHBA-së”, shkroi ai më 4 janar.
Por, ndonëse kjo tregti ka qenë e rëndësishme për Karakasin, kjo ndoshta është më pak e rëndësishme për Pekinin.
Kina mbulon rreth 4 deri në 5 për qind të importeve të saj të naftës nga Venezuela. Humbja e një pjese ose e gjithë këtij furnizimi do të ishte një goditje, por jo një katastrofë.
Përderisa puna për rinegocimin e raporteve tregtare Kinë-SHBA vazhdon, nafta venezuelase është vetëm një pjesë e një tabloje shumë më të gjerë.
Presidenti Trump ka synuar të minimizojë spekulimet se këto furnizime do të kufizoheshin. “Ata do të marrin naftë”, tha ai për Fox and Friends më 3 janar.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i raporteve ekonomike është borxhi i Venezuelës ndaj Kinës që vlerësohet të jetë 10 miliardë dollarë. Ky borxh mbulohet pjesërisht nga eksportet e naftës.
Ashtu si Rusia dhe Irani, edhe Kina ka investuar në ekonominë e Venezuelës, duke investuar rreth 18 miliardë dollarë që nga viti 2005, sipas një data-baze online të Institutit American Enterprise. Në një shkrim më 3 janar, Hal Brands, studiues i lartë në këtë institut, sugjeroi se Kina nuk do të heqë dorë nga investimet në Amerikën Latine.
“Trumpi e ka bërë të qartë se ka vetëm një fuqi të madhe në rajon kur bëhet fjalë për forcën ushtarake… Por, Kina do të vazhdojë të kërkojë raporte ekonomike, teknologjike dhe politike në rajon, si pjesë e një strategjie për përparësi afatgjata”, shkroi ai.
Kuba
Ndoshta asnjë vend nuk është më i cenueshëm nga efektet e veprimeve amerikane në Venezuelë sesa Kuba. Ky vend, që ka mungesë të theksuar parash, varet shumë nga Venezuela për furnizime energjetike, të cilat i ka marrë me çmime shumë të lira.
“Venezuela sot e furnizon Kubën me rreth 35.000 fuçi naftë në ditë, që përbën 50 për qind të deficitit të naftës së ishullit”, i tha REL-it, Jorge Pinon nga Universiteti i Teksasit në Austin.
“Kuba nuk ka burime financiare për të blerë këtë mungesë” të naftës, tha ai, duke shtuar se për të shmangur një kolaps ekonomik, “Qeveria amerikane mund t’i kërkojë Venezuelës të vazhdojë furnizimin me naftë të Kubës”.
Zbatimi i sanksioneve amerikane ka bërë që tashmë të pakësohen furnizimet me energji, dhe Kuba po përballet me ndërprerje gjithnjë e më të shpeshta të energjisë elektrike, që prekin si ndërtesat e banimit ashtu edhe industrinë.
Trump ka deklaruar se Kuba ishte “duke shkuar drejt kolapsit të plotë”.