Si do ta zhvillonin shtetarët Kosovën dhe si e zhvilloi par(t)ia?

Një shtet të pasuksesshëm ekonomikisht dhe politikisht e bënë mosfunksionimi institucional, ky përfundim rrjedh nga DaronAcemoglu dhe James A. Robinson në librin e tyre “Pse kombet dështojnë”, ndërsa në librin e tij “Rënia dhe Ngritja e Kombeve” autori RuchirSharma thotë se arsimimi i duhur nuk sjellë një ngritje ekonomike të shpejtë, por që zhvillimi ekonomik sjell patjetër nevojën për zhvillimin e arsimit në nivelin e duhur.

Opinion

29/03/2018 13:32

Singapori që realisht nuk ka burime tjera përveç zgjuarsisë së njerëzve dhe udhëheqësve të saj, ka të ardhura për frymë shumë më të larta sesa vende të botës shumë më të mëdha dhe të fuqishme, që e bënë atë një nga shtetet instucionalisht më të mirë.

Pra, kemi dy kanale që i nevojiten Kosovës si hapa vendimtar për të dalë nga dështimi dhe shembja shoqërore e shtetërore që po na ndodh. E para është, pasja e “rendit dhe ligjit” dhe institucione funksionale, ndërsa e dyta është, që rrjedh nga rendi dhe ligji, zhvillimi ekonomik dhe investimet.

Zhvillimi ekonomik domosdo sjell edhe nevojën për arsimim të duhur dhe njerëz të kualifikuar të cilët i kërkon tregu.

Në, një gjendje shumë më mirë se Kosova por më keq se që kërkon konkurrenca e BE-së janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi edhe në këto vende ka mosfunksionim të duhur të shtetit ligjor, politikës dhe ekonomisë liberale, dhe në këtë rast, sikur Kosova të bënte një hap të madh, një reformim, ashtu siç e ka shansin, do të ishte flamurtar drejt integrimeve në BE dhe nuk do varej pastaj nga kërcënimi i hyrjes së Serbisë para Kosovës në BE, dhe një vote kundër për integrimin e Kosovës në familjen e madhe të bashkuar evropiane.

Gjithashtu, nëse nuk zihet hapi me zhvillim, apo edhe vazhdojmë me një gjendje të tillë, na pret kolapsi ashtu siç u ka ndodh dhe u ndodh të gjitha shteteve edhe me të mëdha se Kosova.

Gjëra që për shtetarët e vërtetë dhe patriotët janë të thjeshta për tu bërë, për njerëzit e ditur dhe shtetar nuk është e vështirë krijimi i institucioneve të mira, por kur kemi sukses në ndërtimin e institucioneve atëherë kemi progres shtetëror dhe jo kriminal.

Nuk janë tregues real gjithnjë të dhënat statistikore që bëhen nga organizata brenda dhe jashtë vendit kur tregojnë ndonjë pik progresi, jo për shkak që këto janë të njëanshme, por që e vërteta mund të manipulohet dhe kur identifikohet një indikator kryesisht mbi të bëhet presion të rregullohet apo manipulohet, ashtu siç thotë ligji i Goodhart-it, siç po tentohet tani të bëhet edhe me testin PISA. Pastaj rënia e korrupsionit më së miri mund të vërehet në rikonstruktimin e vendit nga ekonomia dhe jo nga harxhimi i parave në mënyrë të rregullt, sepse kapja e një vendi lejon krim ligjor.

Pra, Krijimi i institucioneve të mira, arrin që të kanalizoj energjitë dhe të seleksionoj vlerat dhe njerëzit duke maksimalizuar forcat, dhe në këtë mënyrë bënë që vlerat ekzistenciale të zëvendësohen mbi ato zhvillimore.

Sepse në këtë formë është krijuar vetëm një trajtë shtetërore e mercenarisë protekstioniste politike, kulturore, ekonomike, fetare, sportive, biznesore, etj., ku në këtë mënyrë kanë krijuar një sistem oligarkik më të fuqishëm se pushteti i Jugosllavisë/Serbisë mbi Kosovën. Pasi Jugosllavia/Serbia manipulonte me një elitë duke u dhënë poste dhe duke e bërë të ndjehet popullin shqiptar se kanë pushtet dhe duke i sunduar me dorën e vetë shqiptarit, klasa e tanishme politike tani përdorë një metodë më funksionale dhe të fortë, duke krijuar edhe një klasë protekstioniste të punësuarish në administratën publike dhe krijimin e shtetit rentier.

Kështu, grupet e fuqishme në Kosovë nuk lejojnë të kemi një progres ekonomik sepse atëherë humbasin privilegjet e tyre politike dhe ekonomike. Vetëm varfërimi i popullit mund të krijojë dhe blejë një elitë që të sundojëbashkë me ta, e madje edhe atëherë kur ka më shumë skllevër se elitar, mizoria e gjatë bëhet një lloj sëmundje patogjene për skllevërit, e pushteti një psikozë për elitën. Madje edhe gjenden mënyra për tu blerë heshtja! Kush ngre krye ndaj tyre ose linçohet ose inkorpohet në risk dhe i mbyllet goja. Fshatarët në Kosovë mbahen me subvencione të përvitshme fallce që u lejon një mbijetesë regresive dhe të varur nga partia e elita oligarkike, ndërsa urbanistëve u mbyllet goja me çmime të lira produktesh të importuara që janë më lirë se ato vendore, paçka që janë mbeturina që në asnjë mënyrë vendet normale si ato të BE-së nuk do i lejonin të kalonin kufijtë e tyre.

Gjithë kjo pabarazi, sa më shumë rritet krijon një lloj komunizmi oligark siç e shpjegon Platoni, ku klasa sunduese është aq mizore dhe e fuqishme sa klasa e të sunduarve e ka të ngulitur në kokë se nuk mund të bëjnë asgjë edhe po tëngritnin krye ndaj klasës sunduese dhe pranojnë të sundohen.

Andaj edhe politika nuk ka fytyrë të vërtetë (parime) dhe nuk janë besnik ndaj qytetarit, sepse u duhet në një kohë apo tjetrën patjetër të vijnë në pushtet në çfarëdo forme që të kenë qasje në burime shtetërore për të mos falimentuar dhe përjashtuar nga elita sunduese.

Për pasojë, asnjë shtet në botë nuk ka arritur reforma demokratike nga vullneti i autokratëve, oligarkëve dhe despotëve. Asnjë shtet në botë nuk ka arritur zhvillimin e vet ekonomik qytetar nga pasurimi dhe kapja e shtetit nga një grup njerëzish të cilët vetëm krijojnë mercenari rentiere për të mbrojtur pushtetin, duke zhvilluar një ‘oligarki funksionale brenda oligarkisë formale’.

Nuk mund të presim një zhvillim ekonomik dhe demokratik nga njerëzit që nuk janë shtetarë, janë të pangopshëm ekonomikisht dhe nuk kanë një ndërtim intelektual bazuar në vlera të mirëfillta demokratike të dijes. Dhe nuk ka asnjë mision apo gjykatë të huaj, e cila mund të rregulloj çështjet e brendshme politike të një vendi me njerëz që nuk janë të vullnetit për gjëra të tilla. Andaj, shpresa e zhvillimit të një vendi gjithmonë dhe historikisht, pa asnjë precedencë, mbetet tek ndryshimi që e bëjnë qytetarët e shtetit, nga vullneti për të ndërtuar një shtet për të ardhmen e mirë të fëmijëve të tyre dhe jo duke sakrifikuar të ardhmen e fëmijëve duke u bërë mercenarë të lirë politik.

Padyshim, që Kosova ka potenciale të mëdha intelektuale për zhvillim, dhe ky shpërthim do të ndodhë vetëm kur qytetarët e saj të vetëdijesohen për interesat e vërteta të tyre, dhe do përkrahin një klasë të re politike e cila ndërton institucione inkluzive (gjithëpërfshirëse), dhe me stimuj, lehtësira e mbrojtje për investime ekonomike e shkencore.