Si do jetë marrëveshja e armëpushimit në Ukrainë? Publikohen skicat e para

Franca dhe Britania e Madhe po propozojnë një armëpushim të pjesshëm njëmujor midis Ukrainës dhe Rusisë, i cili do të përfshinte ndalimin e sulmeve ajrore, detare dhe të infrastrukturës energjetike. Në një intervistë për gazetën franceze Le Figaro, këtë e ka deklaruar presidenti francez Emmanuel Macron, duke theksuar se një armëpushim i tillë do të…

Bota

03/03/2025 10:40

Franca dhe Britania e Madhe po propozojnë një armëpushim të pjesshëm njëmujor midis Ukrainës dhe Rusisë, i cili do të përfshinte ndalimin e sulmeve ajrore, detare dhe të infrastrukturës energjetike.

Në një intervistë për gazetën franceze Le Figaro, këtë e ka deklaruar presidenti francez Emmanuel Macron, duke theksuar se një armëpushim i tillë do të zgjasë një muaj.

Macron aktualisht po përpiqet të zhvillojë një nismë evropiane që do të siguronte që kontinenti evropian të mos mënjanohet nga marrëveshja midis Moskës dhe Uashingtonit.

Prandaj, Franca zhvilloi një plan së bashku me Britaninë gjatë samitit të së dielës për Ukrainën, sepse Macron nuk beson në një armëpushim që do të nënshkruhej nga amerikanët dhe rusët, shkruan Le Figaro, duke deklaruar se, sipas kreut të Pallatit Elysee, Rusia dëshiron të çmilitarizojë dhe poshtërojë Ukrainën.

Kjo është arsyeja pse Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer dolën me një propozim alternativ.

“Një armëpushim në ajër, në det dhe në aspektin e infrastrukturës energjetike”, citon Le Figaro të ketë thënë Macron. Një armëpushim i tillë, i cili nuk do të përfshinte luftime në front, do të zgjaste një muaj.

Sipas presidentit francez, forca paqeruajtëse evropiane, e cila është diskutuar intensivisht javët e fundit, do të dërgohet në terren vetëm më vonë, pasi negociatat për një armëpushim të plotë pritet të zgjasin të paktën disa javë të tjera.

“Në javët e ardhshme, nuk do të ketë trupa evropiane në territorin ukrainas”, siguroi Macron, duke shtuar se Franca dhe Britania duan paqe, por jo me çdo kusht dhe jo pa garanci.

Lajmi për armëpushimin e propozuar vjen pasi filluan negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse. Megjithatë, në këto negociata nuk u ftuan as përfaqësues evropianë dhe as ukrainas.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tregoi më parë se ai do të pranonte të vendoste një kontigjent evropian për të monitoruar respektimin e armëpushimit. Megjithatë, ai hodhi poshtë mundësinë që ushtarët amerikanë t’i bashkoheshin një misioni të tillë.