Shumë shpesh të rrezikuar, kur ka të drejtë polici i Kosovës ta përdorë armën e tij zyrtare?

Janë aty për sigurinë e qytetarëve. Shumë shpesh, policët rrezikojnë edhe sigurinë e tyre për ta kryer detyrën për të cilën betohen përpara se ta veshin uniformën dhe ky rrezik është i shumëfishtë.

Lajme

13/11/2020 22:06

Kohëve të fundit, janë shpeshtuar rastet kur zyrtarët e policisë së Kosovës sulmohen gjatë kryerjes së detyrës së tyre dhe të njëjtit i kanë “duart e lidhura” sa i përket reagimit ndaj sulmeve, shkruan lajmi.net.

Ditë më parë, në Gjakovë një person në mes të qytetit iu është vërsulur me thikë disa qytetarëve. Ai nuk i kurseu as policinë e Kosovës që kishin arritur aty për t’i ruajtur qytetarët dhe filloi edhe ndjekjen e tyre me thikë në dorë.

Policët, deri në vet-dorëzimin e tij nuk kishin se ç’ti bënin përveç ta urdhëronin të dorëzohej dhe ta lëshonte thikën.

Përvojë hiç më të mirë, Policia e Kosovës nuk pati as në Fushë Kosovë. Derisa po kryenin punën e tyre dhe detyrat e caktuara, policia e Kosovës hasën në rezistencë në Fushë Kosovë, me ç’rast pasoi një përleshje mes tyre dhe qytetarëve ku të lënduar mbetën dy policë.

Shumë prej njerëzve do të pyesnin, pse policia nuk e përdorë armën zyrtare që t’i parandalojë rastet e tilla? Kjo sigurisht rregullohet me ligjin për Policinë e Kosovës, ku e drejta për përdorimin e armës zyrtare është mjaft e kufizuar.

Neni 27 i Ligjit për Policinë e Kosovës, “Përdorimi i Armëve të Zjarrit”, thotë se zyrtari policorë ka të drejtë ta përdorë armën e zjarrit vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme dhe vetëm deri në atë nivel që kërkohet të arrihet objektivi ligjor i policisë.

Sipas këtij neni, përdorimi i armës zyrtare duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikut dhe seriozitetin e situatës.

“Zyrtari policor është i autorizuar të posedoj dhe ta bartë armën zyrtare të zjarrit të lejuar nga policia. Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme dhe vetëm deri në atë nivel që kërkohet për ta arritur objektivin ligjor të policisë, kur përdorimi i saj është në proporcion me shkallën e rrezikut dhe seriozitetin e veprës penale në atë situatë, dhe vetëm nëse konsiderohet se me përdorimin e mjeteve më të vogla të forcës nuk do të arrihen objektivat legjitime të policisë.”, thuhet në këtë ligj.

Paragrafi 2 i nenit 27 specifikon rastet kur polici i Kosovës është i autorizuar në përdorimin e armës zyrtare.

“2. Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit kundër personit tjetër vetëm kur mjetet më pak ekstreme janë të pamjaftueshme që ta: 2.1. mbroj jetën e vet ose jetën e të tjerëve nga sulmet e pashmangshme; 2.2. parandaloj kryerjen e pashmangshme apo vazhdimësinë e veprës penale që shkakton
rrezik të lartë për jetën; 2.3.arrestoj personin i cili paraqet rrezik për jetën e të tjerëve dhe që u reziston urdhrave ligjor të dhënë nga zyrtari policor; dhe 2.4. parandaloj arratisjen e personit i cili paraqet rrezik të pashmangshëm për jetën e personave të tjerë dhe që u reziston urdhrave ligjorë të dhënë nga zyrtari policor.”, thuhet gjithashtu brenda këtij ligji.

Paragrafi 3, 4 dhe 5 i nenit 27 të Ligjit për Policinë e Kosovës gjithashtu shpjegon procedurat përpara se të përdoret arma zyrtare ku polici është i detyruar ta prezantojë vetën si polic dhe të paralajmërojë se do të shtie me armë në rast se nuk përfillen fjalët e tij, përveç në rrethana urgjente.

Gjithashtu, paragrafi 5 thotë se policia është e autorizuar ta përdorë armën kundër kafshëve kur ato paraqesin rrezik për shëndetin dhe sigurinë e cilitdo person.

“3. Para se ta përdorë armën e zjarrit, zyrtari policor jep vërejtje gojore, prezanton vetën si zyrtar policor, duke urdhëruar personin që të ndalet, por edhe duke e paralajmëruar se do të shtie nëse ai/ajo nuk ndalet. 4. Si masë e veçantë në rrethana urgjente, zyrtari policor mund të mos e bëjë paralajmërimin në rast se një veprim i tillë e rrezikon zyrtarin policor ose personat e tjerë nga një rrezik serioz i pashmangshëm. 5. Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit kundër kafshëve, kur ato paraqesin rrezik për shëndetin dhe sigurinë e cilitdo person, ose për shkak të rrezikut nga sulmi.”, thuhet gjithashtu në Ligjin për Policinë e Kosovës.

Në botë, ekzistojnë shtete në të cilat policia ka kompetenca më të zgjeruara për përdorimin e armës zyrtare dhe parandalimin e rasteve kriminale. /Lajmi.net/