Shuhet edhe një zjarr në pyjet e Shqipërisë
Zjarri që ra pasditen e së enjtes në një sipërfaqe pyjore me pisha në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësi administrative Gjinaj, Bashkia Has është shuar. Flakët kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të territorit pyjor, duke rrezikuar përhapjen në zonat përreth. Për përballimin e situatës dhe shuarjen e plotë të zjarrit u…

Lajme
Zjarri që ra pasditen e së enjtes në një sipërfaqe pyjore me pisha në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësi administrative Gjinaj, Bashkia Has është shuar.
Flakët kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të territorit pyjor, duke rrezikuar përhapjen në zonat përreth.
Për përballimin e situatës dhe shuarjen e plotë të zjarrit u angazhuan menjëherë 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 5 forca të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Hasit me një automjet zjarrfikës, 4 efektivë policie, 7 punonjës të Bashkisë Has dhe 10 vullnetarë nga komuniteti, shkruan A2.
Autoritetet lokale kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Ndërhyrja ka qenë e vështirësuar për shkak të terrenit të thepisur dhe temperaturave të larta.
Bashkia e Hasit ka qenë në gadishmëri prej disa ditësh, për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret në pyje, si pasojë e temperaturave të larta të verës. Janë marrë masa parandaluese në terren dhe është bërë thirrje për sensibilizimin e banorëve në zonat me risk.
Megjithatë, mungesa e një sistemi të mirëorganizuar të vrojtuesve dhe sinjalizuesve të zjarreve në qarkun e Kukësit mbetet një nga problemet kryesore në menaxhimin e hershëm të zjarreve. Autoritetet apelojnë për bashkëpunim të shtuar me komunitetin dhe institucione të tjera për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla.