Shtyhet për të premten eksplodimi i mjetit të pashpërthyer në Kaçanik

Ndonëse ishte paraparë të ndodhte sot, policia ka njoftuar se është shtyrë për të premten eksplodimi i mjetit të pashpërthyer që u gjet në fshatin Stagovë të Kaçanikut. “Ju njoftojmë se operacioni i eksplodimit të mjetit të pashpërthyer, i cili ndodhet në fshatin Stagovë të Kaçanikut, në lagjen “Teneqja” që ishte i paraparë të realizohet…

Lajme

30/04/2025 08:20

Ndonëse ishte paraparë të ndodhte sot, policia ka njoftuar se është shtyrë për të premten eksplodimi i mjetit të pashpërthyer që u gjet në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

“Ju njoftojmë se operacioni i eksplodimit të mjetit të pashpërthyer, i cili ndodhet në fshatin Stagovë të Kaçanikut, në lagjen “Teneqja” që ishte i paraparë të realizohet me datën 30.04.2025 nga Njësia e deminimit të KFOR-it, është shtyrë për datën 02.05.2025 nga ora 09:00-13:00”, thuhet në njoftim të policisë.

Policia ka bërë të ditura edhe masat që duhet respektuar gjatë këtij procesi.

Sipas policisë, zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes. Brenda kësaj zonë ndalohet rreptësisht qëndrimi i njerëzve.

Rekomandohet edhe largimi në vend të sigurt i kafshëve dhe makinerive.

“Banorët e lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në fshatin Stagovë luten që të mbajnë dritaret e shtëpive hapur, për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale dhe të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive” thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar po ashtu se shërbimi i zjarrfikësve dhe emergjenca do të jenë në gjendje gatishmërie, teksa do të sigurohet që në kohën e shpërthimit të mos ketë njerëz jashtë shtëpive.

“Këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit.

Ju lutemi për mirëkuptim dhe bashkëpunim në respektimin e këtyre masave për sigurinë tuaj dhe të të gjithëve” apelon policia.