Shtyhen inaugurimet në komunat e Veriut

Kryetarët e Komunave të Veriut kanë shtyrë seancat inauguruese pas paralajmërimeve të Prishtinës se nuk do t’i njohin ato institucione. Problemi qëndron te përmbajtja e ftesave për këto seanca.

Lajme

24/12/2013 09:26

Seancat inauguruese të Kryetarëve të Komunave dhe Asambleve Komunale në komunat e pjesës veriore të Kosovës, të planifikuara të mbahen sot, janë shtyrë me kërkesë të qeverisë së Serbisë dhe lutje të Bashkimit Europian.

Nuk është bërë e ditur data se kur do të mbahen këto seanca.

Mosmarrëveshjet lidhur me përmbajtjen e ftesave për seancën e betimit në të cilën duhet të vërtetohen mandatet dhe të nënshkruhet deklarata e betimit do të zgjidhen ndërmjet Kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, thuhet në një komunikatën e lëshuar nga kryetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

“Ftesat për seancën e Asamblesë Komunale janë bërë me rregull për këshilltarët komunalë por çuditërisht Prishtina ka kërcënuar se nuk do t’i njohë institucionet komunale. Tash është plotësisht e qartë që Prishtina nuk i përmbahet marrëveshjes së Brukselit, që Republika e Serbisë nuk i njeh vendimet e njëanshme të Prishtinës dhe se zyrtarët shqiptarë i frikësohen formimit të Bashkësisë së Komunave serbe”, thuhet në komunikatë.

“Ne, përfaqësuesit legjitimë dhe legalë të qytetarëve tanë do të vazhdojmë t’i japim mbështetje të plotë qeverisë së Serbisë në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe e cila qartë paraqet rrezik të madh për aspiratat separatiste të shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.