Shtrenjtohet jeta në Kosovë, karburantet dhe ushqimet shtyjnë inflacionin lart

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, kostoja e jetesës në vend ka vijuar të rritet edhe gjatë muajit mars 2026. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) shënoi një rritje mujore prej 1.5% krahasuar me shkurtin, transmeton lajmi.net. Kjo rritje u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve…

Lajme

10/04/2026 09:20

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, kostoja e jetesës në vend ka vijuar të rritet edhe gjatë muajit mars 2026.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) shënoi një rritje mujore prej 1.5% krahasuar me shkurtin, transmeton lajmi.net.

Kjo rritje u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për transport personal, të cilat pësuan një rritje të ndjeshme.

Po ashtu, ndikim patën edhe çmimet më të larta të produkteve ushqimore, përfshirë perimet, pemët dhe mishin. Në total, këto kategori kontribuan dukshëm në rritjen e përgjithshme të indeksit. Në anën tjetër, një ulje e lehtë e çmimeve u regjistrua te energjia elektrike dhe disa lëndë djegëse, duke zbutur disi efektin e rritjes.

Në krahasim vjetor, inflacioni në mars 2026 arriti në 6.7%, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të çmimeve në disa sektorë. Ndër më të theksuarat janë shërbimet e lidhura me transportin personal, biletat ajrore dhe shërbimet e furnizimit me ujë dhe banimit. Rritje të ndjeshme janë shënuar gjithashtu te energjia elektrike, karburantet dhe lëndët djegëse, si dhe te paketat turistike.

Edhe produktet ushqimore kanë pasur ndikim të dukshëm në këtë trend, me rritje të çmimeve te pemët, mishi dhe produktet si kafeja, çaji dhe kakao. Përveç tyre, janë shtrenjtuar edhe shërbimet hoteliere, kujdesi personal, shërbimet shëndetësore dhe mallrat për mirëmbajtjen e shtëpisë.

Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se presioni mbi çmimet mbetet i lartë në shumë sektorë, duke vazhduar të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve në Kosovë./lajmi.net/