Shtrenjtimi i rrymës, deklarohet Murati

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka komentuar sot shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind në Kosovë. Hekuran Murati tha se nuk kanë kontroll mbi çmimet e importit të energjisë elektrike, kështu u përgjigj ai derisa u pyet sa i përket shtrenjtimit të rrymes prej 16.1 për qind. “Sa na…

Lajme

16/04/2025 12:26

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka komentuar sot shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind në Kosovë.

Hekuran Murati tha se nuk kanë kontroll mbi çmimet e importit të energjisë elektrike, kështu u përgjigj ai derisa u pyet sa i përket shtrenjtimit të rrymes prej 16.1 për qind.

“Sa na përket neve, ne ajo çfarë kemi mundur të bëjmë është çmimi i energjisë elektrike që KEK-u sa e shet, vazhdon të jetë 30 euro për megavat orë. Çka ka ndikuar në rritjen e tarifave mund të jenë dy çështje… Ne si qeveri kontroll mbi çmimet e importit nuk kemi, ashtu siç nuk kemi edhe në çmimet e naftës”, deklaroi ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të mërkurën ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind. Me pesë vota për dhe asnjë kundër Bordi i ZRRE-së miratoi tarifat e reja për konsumatorët.

Në mbledhjen e radhës, ZRRE bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen energji elektrike me tarifat e reja që nga data 1 maj i këtij viti deri më 31 mars të vitit 2026.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu tha se konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë, janë dy kategoritë që do të furnizohen me tarifat e reja prej 16.1 për qind që nga 1 maji i këtij viti.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.

Të premten, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRrE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mbajti mbledhjen për të vendosur për këtë çështje, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës. Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje.

Derisa Presidenca e Kosovës e kundërshtoi propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë tha se rritja nuk duhet t’i prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh.