Shtohet fluksi i emigrantëve, 26% më shumë se një vit më parë

13:52 | 18 Shtator 2019

Foto ilustruese

Emigrantët kanë nisur të vërshojnë sërish drejt Europës.

Zyra për Azil e Bashkimit Evropian (EASO) njoftoi se vetëm gjatë muajit korrik, numri i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në vendet europiane, u rrit me 26%. Gjatë këtij muaji, siç sqaroi kjo zyrë, azilin e kanë pretenduar gati 63.000 vetë.

Ndonëse shumë më të ulëta se nivelet e regjistruara në 2015 dhe 2016, kur mbi 1 milion emigrantë hynë në Evropë, shumica të larguar nga konflikti në Siri dhe Irak, shifrat aktuale përbëjnë një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Fluksi i përpara disa viteve pat shkaktuar njërën prej krizave më të mëdha të BE-së pasi vendet anëtarë përplaseshin mbi përgjegjësinë për emigrantët. Sinjalet e fundit janë shqetësuese, sidomos nëse i shtohen dhe paralajmërimet e Turqisë se do t`ia rihapë refugjatëve sirianë rrugën drejt Europës nëse nuk merr më shumë mbështetje ndërkombëtare për krijimin e një zone të sigurtë në veri të Sirisë. Sirianët, afganët dhe venezuelasit përbënin rreth një të katërtën e aplikantëve në muajin korrik. Shumë të tjerë vinin nga Iraku, Pakistani, Turqia, Kolumbia, Irani dhe Shqipëria. /tch