Shtohen zërat se Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për President – raportohet se AAK ka filluar mbledhje e nënshkrimeve
Zërat për një kandidim të mundshëm të Ramush Haradinajt për postin e presidentit të Kosovës, dita e ditës veçse po rriten. Javë më parë kandidati për deputet i AAK për zgjedhjet e fundit, Dardan Krasniqi e përmendi si mundësi Haradinajn si President, transmeton lajmi.net. “Mendoj se partitë opozitare, nëse nuk duan ta çojnë vendin në…
Lajme
Zërat për një kandidim të mundshëm të Ramush Haradinajt për postin e presidentit të Kosovës, dita e ditës veçse po rriten.
Javë më parë kandidati për deputet i AAK për zgjedhjet e fundit, Dardan Krasniqi e përmendi si mundësi Haradinajn si President, transmeton lajmi.net.
“Mendoj se partitë opozitare, nëse nuk duan ta çojnë vendin në zgjedhje dhe nëse synojnë t’i ofrojnë Kosovës institucione me njerëz kredibilë për udhëheqje, duhet ta mbështesin z. Haradinaj si kandidat për president. Nëse duam institucione të konsoliduara, stabilitet, qetësi politike, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe unitet në këtë fazë të rëndësishme për vendin, Haradinaj është personaliteti i duhur dhe i domosdoshëm, jo zonja Osmani,”, tha Krasniqi në “Kosova Live”.
Por, mbrëmë këto zëra u fuqizuan edhe më shumë.
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është duke mbledhur nënshkrime për t’u zgjedhur president i vendit.
“Ka pasur ide, me aq sa kam parë, Ramush Haradinaj mbledh nënshkrime nga deputetët individualisht dhe grupet politike, por nuk e di se a është konkretizuar” – tha Gashi në televizionin ATV.
Lajmi.net ka tentuar të marr një përgjigje nga AAK për këto raportime, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.
Nuk është hera e parë që Haradinaj projektohet si president.
Në zgjedhjet e vitit 2021, në zgjedhjet nacionale, Haradinaj i kishte hyrë garës me qëllimin final që të bëhej President.
Ndryshe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.
“Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës”.
Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.
Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor./Lajmi.net/