Shtëpinë në fshatin e lindjes e shpall rezidencë dhe kërkon zonë të ndaluar për fluturime
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq e ka kthyer vikend shtëpinë e tij në fshatin të lindjes Bajçetinë në rezidencë presidenciale. Mirëpo në vendimet qeveritare kjo shtëpi nuk është trajtuar si rezidencë.

Lajme
Drejtori i Policisë serbe, Millorad Veloviq ka kërkuar ndalimin e fluturimeve ajrore mbi territorin e komunës Kniq, ku gjendet edhe fshati i Nikoliqit. Kjo kërkesë e drejtuar Ministrisë së Komunikacionit nuk është kontestuese për sa i përket anës ligjore.
Mirëpo, si shkruan gazeta Blic e Beogradit, kontestuese është që shtëpia e NIkoliqit aty të shpallet “objekt rezidencial i Presidentit të Republikës”.
Ministrja e Komunikacionit, Zorana Mihajlloviq, e cila do të duhej ta nënshkruante vendimin për ndalesën e fluturimeve mbi Bajçetinë, thotë se nuk di që atje ka ndonjë objekt rezidencial, sikundër që nuk di nëse vikend shtëpia e Nikoliqit ka status të posaçëm.
Ajo nuk do të vendosë për ndalim fluturimin pa e marrë vlerësimin e shërbimeve të sigurisë, mbi bazë të të cilit pastaj do të mund të vendosë për krijimin zonës së ndaluar për fluturime.
Vikend shtëpia e Nikoliqit nuk gjendet as në mesin e 14 rezidencave dhe objekteve të cekura në Udhëzimin e nënshkruar nga kryeministri Aleksandar Vuçiq, në korrik të vitit 2014.
Sipas këtij udhëzimi rezidenca e e Presidentit të Serbisë gjendet në Beograd, në lagjen Dedinje.
Vikend shtëpia e presidentit, sipas akuzave të radikalëve serbë, pjesë e të cilëve deri para disa vketësh ka qenë edhe Nikoliq, vlen rreth 600,000 euro.