Shtëpia e shkrimtarit të vrarë Ymer Elshani do të kthehet në muze

Në çdo vend të Kosovës, ka dëshmi rezistence por edhe krijimtarie. Lufta nuk kurseu gra, fëmijë, të moshuar, por as mjekë e shkrimtarë. Një prej tyre është edhe Ymer Elshani, shkrimtari i cili jetën ia kushtoi krijimtarisë letrare. Ai bashkë me familjen e tij u vra dhe u dogj në masakrën e Poklekut në Drenas.…

Lajme

06/05/2024 22:40

Në çdo vend të Kosovës, ka dëshmi rezistence por edhe krijimtarie. Lufta nuk kurseu gra, fëmijë, të moshuar, por as mjekë e shkrimtarë.

Një prej tyre është edhe Ymer Elshani, shkrimtari i cili jetën ia kushtoi krijimtarisë letrare. Ai bashkë me familjen e tij u vra dhe u dogj në masakrën e Poklekut në Drenas. Vajza e tij Teuta e cila shpëtoi meqë nuk ishte atë ditë në shtëpi, tani në Ministrinë e Kulturës, kanë vendosur që shtëpinë e shkrimtarit ta shndërrojnë në muze.

Në këtë oborr, duket sikur koha ka ndaluar. Dera e shtëpisë së shkrimtarit e poetit Ymer Elshani, ka vite që nuk është hapur. Por, drita në këtë shtëpi në Korroticë të Epërme të Drenasit, sikur buron nga brenda.

Pas shumë vitesh, heshtjen shurdhuese të këtij trualli e prish Teuta Elshani.

Vajza e shkrimtarit Ymer Elshani, të vrarë nga forcat serbe në masakrën e Poklekut në vitin 1999, pas shumë vitesh, rikthehet në shtëpinë ku edhe vetë u lind.

Teuta gjeti forcën të vazhdojë jetën për hir të trungut familjar. Ka vendosur t’i përkushtohet krijimtarisë letrare të babait. Mbi të gjitha, që shtëpia e Ymer Elashit, të kthehet në muze, ku do të ruhen edhe dorëshkrimet origjinale, librat, rrobat dhe gjësendet e shkrimtarit të njohur.

“Ideja ishte çdo herë që ta ruajmë këtë shtëpi sepse ishte e vetmja gjë që mbeti nga familja në këtë fatkeqësi, sepse edhe kjo ka mund të mos ishte nga lufta, mirëpo këtu janë dorëshkrimet e poetit, rrobat familjes dhe të poetit dhe çdo gjë që ata lanë pas kur u dëbuan nga fshati dhe kaluan në Poklek. Kanë kaluar 25 vite, ka gjëra që mungojnë, por ka gjëra që kanë mbetur, jo vetëm të tregojnë për fatin tragjik edhe të jetës së poetit, ku ka shkruar ku ka jetuar dhe gjeneratat e reja. Shpresoj që do të vijnë këtu dhe do të motivohen me rrëfimin e shkrimtarit, por edhe ta kuptojnë çmimin e lirisë”, deklaroi Teuta, e blija e  Ymerit.

Dëshira dhe angazhimi i Teutës, tashmë po shpaguhet. Dy vjet më parë, shtëpia e poetit Ymer Elshani ka hyrë nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës. Në projektbuxhetin e sivjetmë planifikohet nisja e punimeve për rinovim e shtëpisë nga Ministria e Kulturës.

“Duke u punuar projekti për renovimin e kësaj shtëpie, afat kohor nuk kam, por shpresoi që përgjatë kësaj vere të ketë hapa konkret në realizimin e renovimit. Parashihet të bëhet një renovim i gjithë shtëpisë, të bëhet edhe një mur rreth shtëpisë që të të bëhet edhe një objekt ndihmës…që të kemi një hapësirë pushimi për vizitorët, por edhe një kënd të librave, në mënyrë që shtëpia e poetit të mbetet e paprekur, të jetë e vizitueshme”, tha ajo.

Me 270 mijë euro investime, kjo shtëpi do të shndërrohet në  muze.

Shkrimtari që veprimtarinë ia kushtoi botës së fëmijëve, botoi 11 vepra sa ishte gjallë. Gjithashtu, 11 të tjera iu botuan pas luftës nga familjarët. Në  bibliotekën e shtëpisë së shkrimtarit, janë dorëshkrimet, librat , rrobat dhe disa orendi që i kanë mbijetuar luftës dhe 25 viteve pas saj.