Shtëpia e Bardhë s’e përjashton mundësinë e blerjes së Grenlandës

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka diskutuar “një sërë opsionesh” për të blerë Grenlandën, përfshirë përdorimin e ushtrisë. Në një deklarim për BBC-në, Shtëpia e Bardhë pohoi se blerja e Grenlandës, një rajon gjysmautonom i Danimarkës, ishte një “prioritet i sigurisë kombëtare”. Deklarata erdhi disa orë pasi udhëheqësit evropianë lëshuan…

Bota

07/01/2026 09:21

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka diskutuar “një sërë opsionesh” për të blerë Grenlandën, përfshirë përdorimin e ushtrisë.

Në një deklarim për BBC-në, Shtëpia e Bardhë pohoi se blerja e Grenlandës, një rajon gjysmautonom i Danimarkës, ishte një “prioritet i sigurisë kombëtare”.

Deklarata erdhi disa orë pasi udhëheqësit evropianë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke mbështetur Danimarkën, e cila ka kundërshtuar ambiciet e Trumpit, për ishullin arktik.

Trumpi përsëriti se SHBA-ja “kishte nevojë” për Grenlandën, për arsye sigurie.

Shtëpia e Bardhë tha të martën: “Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm”.

Të martën, gjashtë aleatë evropianë shprehën mbështetje për Danimarkën.

“Grenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre”, thanë në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës.

Ata gjithashtu bënë thirrje për “mbrojtjen e parimeve të Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”.