SHSKUK-ja demanton Ahmetin, tollovia në komunikacion nuk është shkaku i rampës

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë ditës së djeshme deklaroi se tollovia në komunikacion gjatë orëve të mëngjesit, është duke u shkaktuar nga ndryshimet në rampën në hyrje të QKUK-së.

Lajme

07/11/2017 11:43

Ahmeti ka deklaruar se rampa ka bllokuar komunikacionin nga Veterniku deri në Lagjen e Spitalit. Ai ka thënë se për këtë ka kërkuar nga QKUK-ja që rampa të hapet deri në orën 08:30 për të liruar trafikun.

Lindjet në Gjinekologji, sa nëna sollën në jetë fëmijët e tyre

Vdekje e dyshimtë në Aeroportin e Prishtinës

Por krejt këto po i mohon Zyra për Media e SHSKUK-së, e cila thotë se nuk është kontaktuar nga Ahmeti.

“Nuk është përgjegjësi e komunës së Prishtinës çështja e hyrjes në QKUK. Këtë e rregullon vet institucioni jonë”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre për Gazeta Shneta.

“Tollovi ka në të gjitha lagjet e Prishtinës, jo vetëm rreth QKUK-së dhe kjo tollovi ka ekzistuar edhe para ndryshimeve në rampë”.

“Nuk kemi kontaktuar me askënd nga komuna e Prishtinës për këtë çështje”, ka deklaruar kjo zyrë.

Se bllokimi i komunikacionit shkaku i rampës në QKUK nuk është e vërtetë, ka deklaruar edhe menaxheri i projektit Faton Hajzeraj.

“Nuk kemi pas kontakte me komunën. Nuk duhet me shfrytëzu rastin për poena politikë se QKUK-ja po e bënë tollovinë e madhe në komunikacion”, ka thënë Hajzeraj.

Ai ka shtuar se vendimi i QKUK-së është që rampa të hapet nga ora 07:00 deri në 07:40 dhe pasdite nga ora 14:00 deri në 14:30, për shkak të hyrje-daljeve të punëtorëve të klinikave.

Hajzeraj po ashtu ka komentuar edhe në postimin e Ahmetit duke kërkuar nga ai që të mos përpiqet që të marr merita për ndryshimet në hapjen e rampës, për lirimin e komunikacionit.