ShSKUK i quajti “dezinformata” raportimet se ka mungesë të barnave esenciale në QKUK, vetë pacientët e demantojnë atë me komente
Në media ditëve të fundit është raportuar se në QKUK dhe Spitale të tjera rajonale, mungon NaCl 500ml por edhe barna të tjera esenciale. Ndaj këtyre raportimeve, ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës përmes një postimi në Facebook, duke i quajtur ato “dezinformata”. ShSKUK thekson se ka stok të mjaftueshëm për tretje të…

Lajme
Në media ditëve të fundit është raportuar se në QKUK dhe Spitale të tjera rajonale, mungon NaCl 500ml por edhe barna të tjera esenciale.
Ndaj këtyre raportimeve, ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës përmes një postimi në Facebook, duke i quajtur ato “dezinformata”.
ShSKUK thekson se ka stok të mjaftueshëm për tretje të infuzionit dhe ato shpërndahen në vazhdimësi në institucionet që menaxhohen nga ShSKUK, si në QKUK, ashtu edhe në spitalet e përgjithshme, shkruan lajmi.net.
Në po këtë postim, ishin pacientët ata që demantuan ShSKUK-në duke treguar edhe mungesa të tjera si dhe problemet me të cilat po përballen gjatë trajtimit në spitale shtetërore.
Disa nga komentet:
“Unë jam ne dializë të Prizrenit që 10 vite kjo kurrë nuk ka ngja, veç e vërtetë është që i kanë fshehur edhe beso që edhe punëtorët i keqpërdorin ose i vjedhin”,
“Nuk është fare dezinformatë por shume e vërtete, saktësisht mbrëmë në pediatri leje qe nuk ka pas infuzion, por nuk ka pas as fllastera për kanillë, jemi detyru me i ble te gjitha vetë. D.m.th po flasim per kushtet qe fëmijët tanë i kane ne këtë shekull. Turp për besë, turp!”,
“Pacientët që kanë realizuar Koronarografi sot në S/R të Prizrenit kane ble NACL dhe kontrast. Dhe jo vetëm sot, por qe një kohë të gjatë”,
“Ani planifikim i mirë, a barnat esenciale ju mungojnë. Ku është immunoglobulina?”,
“Në spitalin e Prizrenit NUK KA NaCl, e barnatoret po thojnë nuk ka stok, këto nuk janë dezinformata janë informata nga dora e parë, vetë pacientët. Mos manipuloni me njerëz, sepse ka dëshmi per blerjet, kuponat janë për diçka, po në vend të kësaj dilni me sqarime konkrete!!”,
“Si motër e QKUK-së , me plotë përgjegjësi po them qe i kam lexuar bisedat, mes personave te barnatoreve ne SHSKUK. NaCL 0.9% nuk ka . Çka është edhe më interesante se tenderët ju përgatisin firmave qe kanë kerku me i shkëpute kontrata ,ku nga 30 dite liferim kërkojnë 10 dite. Kjo dëshmon ,se me automatizëm i favorizojnë produktet Serbe apo me konkretisht Hemofarmin. Ky është vetëm fillimi! Keni kërkuar, shikojeni”,
“Nuk po japin dezinformata mediat po po e tregojnë gjendjen qe me çka përballen qytetarët, shumë e vërtetë që në Spitalin e Prizrenit jemi detyru me i ble të gjitha, shumë e vërtetë që NaCL nuk ka ne Prizren e kemi ble vet çdo pacient”.
(Disa nga komentet janë të përmirësuara që të kuptohen më lehtë)
Fotografi: