Shqiptaro-amerikani e zbulon: “Dimal Basha më ka kontaktuar që t’i ndihmonim Jana Arsovska’s ta shkruante librin kundër UÇK-së”

“Dimal Basha më kishte kontaktuar mua dhe intelektualë të tjerë shqiptarë që t’i ndihmonim Jana Arsovska, për ta shkruar librin ku kriminalizohej UÇK-ja”, ka thënë Frank Gashi, një shqiptaro-amerikan, që e kishte njohur Bashën personalisht gjatë kohës sa ai kishte qenë duke studiuar në SHBA. Të mërkurën, opinioni publik u njoftua me një punim shkencor…

Lajme

28/08/2025 19:50

“Dimal Basha më kishte kontaktuar mua dhe intelektualë të tjerë shqiptarë që t’i ndihmonim Jana Arsovska, për ta shkruar librin ku kriminalizohej UÇK-ja”, ka thënë Frank Gashi, një shqiptaro-amerikan, që e kishte njohur Bashën personalisht gjatë kohës sa ai kishte qenë duke studiuar në SHBA.

Të mërkurën, opinioni publik u njoftua me një punim shkencor të Dimal Bashës, ku është bashkautor me profesoreshën maqedonase, Jana Arsovska, ku portretizohet UÇK-ja si një organizatë e financuar nga trafikantët e drogës. Basha reagoi duke thënë se ajo pjesë nuk ishte e shkruar nga ai dhe se lufta e UÇK-së për të është e shenjtë, por edhe se distancohet nga çdo shkrim kundër UÇK-së.

Por, një version tjetër ka Gashi. Ai thotë se Basha, atë kohë si student në SHBA, e kishte kontaktuar për t’u takuar me një profesoreshë e cila “po do me e bë një studim për çështje të Kosovës”.

Librin për të cilin Arsovska kërkonte ndihmë nga intelektualët shqiptarë ishte “Dekodim i Krimit të Organizuar Shqiptar”, një pamflet zi e terr kundër UÇK-së. Ndër të tjera, në këtë libër ajo shkruan se shqiptarët duke mbështetur UÇK-në i kontribuuan “zhvillimit të një lidhje kriminale politike” dhe se UÇK-ja u financua “nga operacione të drogës në Kosovë dhe shqiptarëve në Perëndim”.

“I thash normalisht që foli me të, nuk është problem. Më ka kontaktuar pastaj ajo, edhe kam biseduar me atë profesoreshën. Edhe e kam vërejtur menjëherë që është duke shkruar libër se si UÇK-ja është organizatë që është e financuar prej krimit edhe ekstremizmit”, tha Gashi për VOX Kosova.

“I kam thënë s’po du me hy në këtë diskutim sepse nuk më intereson, por çështja kryesore është ti se maqedonase, duke e ditur situatën e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut në 2012, ma mirë me shkru se si po trajtohen shqiptarët prej politikës maqedonase, sesa me u merr me një organizatë që ka luftuar për çlirim të vendit dhe pavarësi të shqiptarëve”, shtoi.

Dimal Basha, potencon shqiptaro-amerikani, “së paku me mua po, po besoj që edhe me të tjerë, me kërkesë të maqedonases, u anagazhua që të gjejë intelektualë shqiptarë për ta shkruar librin kundër UÇK-së”.

Përveç që ishte ftuar për të kontribuuar në këtë libër, ai tregon se Basha e kishte ftuar edhe në promovimin e këtij libri. “Normalisht unë nuk kam shkuar, ka pasur shqiptarë që kanë shkuar”, deklaroi.