Shqiptarët kërkojnë largimin e ‘Parkut të Paqes’, serbët kundër
Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Kosovës insistojnë në largimin e të ashtuquajturit Park i Paqes, që në fakt është një barrikadë e vendosur mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Ndërsa, serbët paralajmërojnë se largimi i kësaj barrikade pa marrëveshje paraprake mund ta destabilizojë situatën.

Lajme
Shefi i Qarkut të Mitrovicës, Vasa Jeliq, i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, se qëndrimi i serbëve në veri të Kosovës dhe i Qeverisë së Serbisë, është që Parku i Paqes duhet të vazhdojë të qëndrojë mbi urën e lumit Ibër, transmeton lajmi.net.
Jeliq ka thënë se në takim me kryetarët e komunave jugore të Kosovës, kanë pasur qëndrim të kundërt rreth të ardhmes së këtij parku.
“Pikëpamja ime është se nuk është koha që të largohet parku, shkaku i situatës së përgjithshme dhe mërrëdhënieve të ftohta mes veriut dhe jugut”, ka thënë ai.
Në anën tjetër përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, insistojnë në largimin e këtij parku, të cilin ata e shohin si barrikadë e cila pengon lëvizjen e lirë të njerzëve.
Emir Azemi përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës në Asamblenë Komunale të Mitrovicës Veriore beson se barrikadat në mendjet e njerzëve dhe Parku i Paqes duhet t’i përkasin të kaluarës, dhe ai duhet hequr sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore Goran Rakiq, thotë se Parku i Paqes nuk mund të hiqet pa angazhimin e palëve të përfshira në dialogun e Brukselit, dhe deri në gjetjen e një zgjidhje që pajton qytetarët e të dy komunave.
Ndërsa në anën tjetër, Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, beson se Parku i Paqes duhet larguar edhe shkaku se ai është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ligjet në vend, dhe Marrëveshjen e Brukselit. (lajmi.net)