Shqiptarët janë etni europiane

Si të shkruhet historia? Duhet menduar bashkë gjërat të cilave u përket të jenë bashkë. Shembulli i librit më të ri të Noel Malcolmit mbi një familje shqiptare nga Ulqini dhe dështimi i historiografisë për ta kuptuar biografinë e Hasan Prishtinës.

Opinion

30/06/2015 11:18

Në rastin e Noel Malcolm-it unë bazohem në librin e tij të sapobotuar «Agents of Empire», në të cilin Malcolm nuk ndërmerr asgjë të vogël, përveç se të shkruajë një histori evropiane me shembullin e familjes shqiptare-katolike Bruni/Bruti nga Ulqini.

Historia shqiptare është histori Ballkani, është histori evropiane – kjo mund të merrej si moto në lidhje me këtë libër në gjysmën e dytë të shekullit 16: Anëtarë të kësaj familjeje luftonin në poste të larta në betejën e Lepantit (1571), shërbenin në Urdhrin e Johanitëve, fusnin me intriga në Stamboll princër të Moldavisë dhe fitonin atje pasuri; ata ishin po ashtu edhe farefis me rrethe shqiptare-myslimane në Stamboll dhe merreshin me politikë të madhe.

Një histori familjeje mes Maltës dhe Avignonit, Stambollit dhe Lashit, një histori spanjollësh, venecianësh dhe osmanësh, pas të cilëve gjendeshin shqiptarë katolikë dhe myslimanë – ku një prej tyre hartoi në italisht përshkrimin më të vjetër të Shqipërisë. Shqiptarët shfaqen si etni evropiane në perandori të ndryshme dhe mes tyre, gjithmonë besnikë ndaj zotërinjve të tyre, por pa harruar prejardhjen e tyre. Nga farefisnia e largët e kësaj familjeje rridhte Veziri i Madh Sinan Pasha, i cili njihet edhe këtu për vakëfin e tij sidomos në Kaçanik.

Sinani në Stamboll udhëhiqte grupin që mund të quhet lobi shqiptar-osman; rivalët e tij ishin myslimanët serbo-boshnjakë rreth Sokoloviqit. Se sa vlente gjuha u pa qartë kur Sinani u ndie i fyer nga Dubrovniku, sepse vezirëve të mëdhenj dhe personaliteteve të tjera stokavishtfolëse (dialekt i gjuhëve sllave, vër e red.) iu bënë më shumë peshqeshe, ndërsa Sinani shqiptar kishte përshtypjen se nuk u nderua sa duhet – gjë që dubrovnikasit e korrigjuan shpejt. Malcolm përdor burime dhe bibliografi në të gjitha gjuhët evropiane, dmth. edhe në të gjitha gjuhët e Ballkanit dhe historia e tij mbi Brunit apo Brutit tregon se as historia shqiptare as e Ballkanit nuk mund të shkruhen si histori e mbyllur.

Kush do të shkruajë një histori të tillë, duhet t’i përballojë burimet në gjuhët italisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht, osmanisht, sllavishte kishtare, greqisht dhe rumanisht dhe paleografinë përkatëse dhe të punojë në Venedik, Romë, Simancas, Dubrovnik, Vjenë, Innsbruck, Stamboll, Paris dhe Londër. Ai duhet të dijë të lexojë shqip, bullgarisht, serbisht, rusisht – shkurt ai duhet të jetë një intelektual evropian i vërtetë. Dhe këtu qëndrojnë fascinimi dhe njëkohësisht edhe sfida e ballkanologjisë: merr një në dukje fenomen të vogël, lokal dhe rajonal, dhe menjëherë gjendesh në ndërlidhje të mëdha, evropiane dhe mesdhetare, pavarësisht se a e bën si historian, apo si gjuhëtar apo si arkeolog.

Çfarë na tregojnë këta shembuj?

Ata na mësojnë se duhet menduar bashkë gjërat të cilave u përket të jenë bashkë; se shkenca moderne nuk ndan aty, ku ekziston diçka e rritur organike; se ne nuk e përcaktojmë shkencën sipas kompetencave tona, por e kundërta i përvetësojmë ato kompetenca që na duhen për një objekt kompleks si Ballkani si hapësirë kulturore.

Një figurë tjetër shqiptare e sqaron këtë kompleksitet për kohën e re, një figure që në Kosovë me të drejtë shihet si simbol i rëndësishëm: Hasan Prishtina.

Për ta kuptuar atë si figurë historike, duhet si për Brutin/Brunin nga Ulqini, një këndvështrim mbarë-evropian, studime nga Ankaraja deri në Londër, nga Roma deri në Moskë, zotërim i të gjitha gjuhëve evropiane dhe njohuri nga të gjitha arkivat.

Hasan Prishtina lëvizte si Brutit/Brunit në shumë botë, por të cilat përbënin një jetë – kurse historiografia deri më tash ka dështuar në kompleksitetin e biografisë së kësaj figure.
Brutit/Brunit në shekullin 16-të dhe Hasan Prishtina në të tretën e parë të shekullit 20 tregojnë paradigmatikisht se si një histori kombëtare – në këtë rast shqiptare – kushtëzon historinë ballkanike dhe evropiane-mesdhetare.

(Pjesë nga ligjërata “Ballkanologjia si detyrë shkencore”, mbajtur më 29 qershor në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me rastin e pranimit si anëtar i jashtëm në akademinë kosovare të Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt. I lindur para 42 viteve në Basel të Zvicrës, Schmitt aktualisht është profesor titullar për historinë e Evropës Lindore në Universitetin e Vjenës).