Shqiptarët do të paguajnë për herë të tretë Rrugën e Kombit

Rruga e Kombit do të paguhet për herë të tretë.

Lajme

22/12/2014 09:05

Pas taksës “Majko”, e destinuar për fillimin e kësaj rruge, por që ndryshoi destinacion nga qeveria “Nano”, kostot e shqiptarëve për pagesën e kredisë dhe shpenzimeve të buxhetit prej 1 miliard eurosh për ndërtimin e kësaj rruge dhe tashmë së fundmi pagesën për mirëmbajtjen e saj që do të jetë e përhershme. 

Por ministri i Transporteve dhe i Infrastrukturës në Shqipëri, Edmond Haxhinasto, pasi deklaron se në vitin 2015 Rruga e Kombit do të jetë me pagesë, ka sqaruar se pavarësisht nga investimi prej 1 miliard eurosh është bërë për ndërtimin e kësaj rruge, megjithatë ajo nuk ka përfunduar pasi nevojiten edhe rreth 100 milionë euro për përfundimin e saj, ndërsa kostot për mirëmbajtjen e rrugës, sipas ministrit Haxhinasto, janë të vazhdueshme, vjetore, dhe janë kosto të larta. 

Por Haxhinasto ka siguruar se niveli i pagesës në Rrugën e Kombit do të përllogaritet cent/kilometër. 

“Do të përdorim një praktikë që është praktikë ndërkombëtare, që është ajo e pagesave në rrugë. Por do t’i përmbahemi idesë për të arritur qëllimin që Rruga e Kombit të mos trajtohet si një rrugë e shtrenjtë, por përkundrazi të jetë një rrugë me një kosto normale të krahasueshme me të gjitha rrugët e tjera të rajonit. Edhe ky element (pagesa) do të jetë nga elementet që do të vendoset përfundimisht në momentin e koncesionit, kështu që ende nuk kemi asgjë, pavarësisht se shumë është përdorur niveli i 5 eurove”, tha Haxhinasto. (Koha Ditore)