Shqiptarët “bëhen” boshnjakë, zunë vendet e rezervuara në Fakultetin e Mjekësisë!

Përfaqësues të minoritetet boshnjak po akuzojnë Universitetin e Prishtinës për dallavere të mëdha rreth regjistrimit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, në këtë vit akademik.

Lajme

10/11/2014 08:01

Ata pohojnë se përmes falsifikimit të dokumenteve vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak në Mjekësi janë zënë me studentë shqiptarë, kurse boshnjakët kanë mbetur pa u regjistruar.

Xhezair Murati, nga partia boshnjake “Vakat”, ka thënë për “Kohën Ditore” se tashmë është e njohur që për shumicën e fakulteteve të universitetit publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me vendim të organeve kompetente ekzistojnë vende të rezervuara për studentët pjesëtarë të bashkësive pakicë, të cilët jetojnë në Kosovë, e ku bën pjesë edhe bashkësia boshnjake.

Por, sipas tij, “me rastin e regjistrimit të studentëve në vitin e ri akademik 2014/15 është bërë shkelje flagrante e të drejtave të njeriut nga udhëheqjet e fakulteteve, por edhe nga Rektorati i Universitetit, pasi që në vendet e rezervuara për kandidatët e bashkësisë boshnjake janë pranuar kandidatët e bashkësisë shumicë, asaj shqiptare”.