Shqiptarë, e kemi vjedhur edhe himnin
Shqiptarë, s’duhet të ndihemi krenarë, as të ngrihemi në këmbë, sa herë që, aty ku jemi mbledhur për të nderuar heronj, dëshmorë, ose dhënë lamtumirën e fundit ndonjë patrioti shqiptar, na intonohet himni (poezia dhe kompozimi) rumun, të cilin, një poet i yni rilindës, para njëqind e sa vjetëve, pa aspak keqardhje, e bëri të vetin, pa dhënë referencën, pa sqaruar asnjëherë për të gjallë të tij, se himni është i huaji e nuk është i tij.
Opinion
Pra, me vetëdije kemi heshtur gjatë për këtë plagjiat të tij. Mbase për shkak se nuk na është kërkuar as sqarim, as ndëshkim, nga asnjë rumun. Vetë na kanë lënë të turpërohemi gjatë, duke na sjellë herë pas here ndër mend, nëpërmjet medieve dhe studiuesve të vet, se ne i mbajmë gjallë brohoritmat e marshit të tyre, të këngës patriotike të tyre Unifikimi mbi flamurin tonë është shkruar. Prandaj, s’do të duhej që pas 1913-s, asnjë ditë më tepër, Himni i flamurit të Asdrenit, meqë s’është i tij, të bëhej dhe të mbetej himn për shtetin e Shqipërisë dhe për gjithë shqiptarët për një shekull e sa vjet jetë, të cilët, po sa flamurin, e duan, e brohorasin dhe e thërrasin himnin rumun kudo ku janë, kudo ku u jepet mundësia ta tregojnë prejardhjen e tyre shqiptare me melodi të huaj e tekst të përkthyer fjalë për fjalë në shqipe, duke e përmendur Shqipërinë në një rast, edhe shqiptarët në një rast tjetër në vend të rumunëve.
Himn për flamurin shqiptar patën shkruar dhe kompozuar poetë shqiptarë edhe para Asdrenit. Cilido prej atyre që e ka punuar një, ka qenë shumë më origjinal në krijim të tij sesa që ka qenë Asdreni dhe këtë “mutsihane” që e ka bërë. Që ta kemi të qartë, himnet shkruhen që t’u përshtaten, së pari, karakteristikave kombëtare, historike, etnografike të popullit, e jo dukjes së flamurit. S’mjaftohet që në dy tre-vende të himnit të tashëm të përmendet Shqipëria, të përmenden shqiptarët e dikurshëm që përbashkoheshin rreth flamurit. Pasi që kemi pasur njerëz të zotë e të aftë të shkruajnë himne edhe për shtete dhe kombe të tjera (për Turqinë dhe turqit) dhe të mburremi që atë e bëri një shqiptar, pse sot nuk ndiejmë keqardhje për hajninë që e ka bërë poeti ynë i Rilindjes Kombëtare dhe ta nisim bërjen e një himni të ri, me melodi, po ashtu, të re?! Punë që s’bëhet?!
Pritni dhe pak, se po jua kujtoj disa rrethana të tjera rreth bërjes së himneve, edhe disa përpjekje serioze nga shqiptarët dhe institucionet shtetërore për bërjen e himneve, dhe binduni se vazhdojmë të brohorasim rumanisht. Fillimisht, po ju marr shembull poezinë Hymni i Flamurit të Fan Stilian Nolit, e cila, kur është shkruar, është shkruar me qëllim për t’u bërë himn për flamurin kombëtar shqiptar dhe qëllimisht është renditur e para në të gjitha botimet e veprës poetike të tij. Kjo poezi himn është shkruar më 14 nëntor 1926. Kjo poezi, të cilin Mitrush Kuteli e quan apologjetike/retorike, në botimin e dytë, të Federatës Vatra, ka gjashtë strofa katërvargëshe (katrena), kurse në botimin e parë, të Kutelit, ka një strofë katërvargëshe dhe dy strofa trivargëshe (tercina). Organizimi i tri strofave të para dallon nga botimi i Kutelit e i Federatës Vatra. Po ashtu, dallon edhe ligjërimi në to. Derisa në botimin e parë poezia ka ton të lartë dhe të ashpër dhe më pak armiq, në botimin e dytë shtohen armiqtë dhe toni luftarak (thirrja për theror) herë ngrihet, herë bie (zbutet), madje as nuk personifikohen më vendet konkrete e të mëdha (Evropa) me figura biblike e kuranore (shejtanë). Dmth., poezia në variantin e dytë është më e përshtatshme për himn të flamurit sepse është e përpunuar dhe u nënshtrohet kritereve shtetërore, pra atyre njerëzve që kërkonin himn për flamurin, për qëndresën, për betejat, për fitoret dhe krenarinë e popullit shqiptar. Ajo edhe është lirike, është edhe epike. Është e mbushur me plot figura të fjalëve dhe me plot tingëllima, të cilat realizohen me ndihmën e elipsës, pa lidhëzat krahasuese. Rima e kësaj poezie është AAAB. Ka edhe rimë të brendshme: S’të tremp Romani, as Venecjani, / As Sërp Dushani, as Turk Sulltani.[1]
Jo vetëm në këtë, po edhe në të tjera poezi Noli përdor shumë folje kalimtare, të cilat e shtojnë muzikalitetin e poezisë dhe i bëjnë poezitë këngë. Në vargjet e strofës së parë, me pak fjalë, Noli përmbledh historinë e madhe dhe të vazhdueshme për mbrojtje të identitetit të flamurit dhe të kombit shqiptar:
O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vend e vatr’ o nën’ e babë
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.[2]
Flamuri, me cilësorin gjak, është për të kaluarën e tij, për qëndresën dhe derdhjen e gjakut të shqiptarëve nëpër shekuj, në shumë beteja, përballë pushtuesve të ndryshëm. Aty është edhe shkaba, që njihet ndryshe si shqiponjë e fortë, e mprehtë dhe e shpejtë. Ajo është, po ashtu, toponim për vendin e bijve të shqipes dhe të prejardhjes së emrit të tyre nga emri shqiponja. Flamuri është bërë pjesë e pandashme e atyre që e duan dhe që identifikohen me të. Nuk dallohet nga anëtarët e familjes, nga nëna, nga ati. Duhet po sa ta. Shqiptarëve, ky simbol qëndrese, u është bërë gjak i trupit, u është bërë shkëmb i fortë, u është bërë i dashur si atdheu dhe si prindërit edhe kur për të duhet sakrificë – derdhur gjaku dhe dhënë jeta, edhe kur për të duhet mbajtur zi. E gjithë kjo lidhje dhe dashuri me dhe për flamurin nuk është vetëm emocionale dhe e përkohshme dhe vetëm për ditë feste kombëtare. Jo. Është një lidhje e hershme gjenetike, e cila përmbledh në vete lot, dhembje fizike dhe shpirtërore.
Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
S’të trëmp Romani as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli.[3]
Flamuri personifikohet me qëndresë, me vend dhe me burra të pathyeshëm që e mbrojnë atdheun. Ai nuk është përbaltur e dorëzuar para asnjërit pushtues: as nga romët, as nga venecianët, as nga serbët, as nga turqit. Thjesht, ka mbetur i madh, edhe pse i një kombi e popullate të vogël e të pushtuar pandërprerë nga fqinjët ballkanas. Ndër të tjera, nuk është flamur i lindur vonë, por shumë i hershëm dhe paqësor mes njerëzve dhe feve. Është ai që ka lindur Shën Konstandinin, kurse ka pajtuar islamin dhe krishterimin, edhe ka shpallur mes feve vëllazërimin.
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishterimin
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Në botimin e Kutelit, folja e vargut të dytë të kësaj strofe është bashkon, që ka dallim të madh nga pajton dhe ka një vargmal historish mes përplasjeve të herëpashershme të myslimanëve shqiptarë dhe të katolikëve në Shqipëri, të cilët, të ndërsyer nga Perandoria Osmane, shpeshherë edhe kishin luftuar mes vete derisa ishin marrë iniciativa për bashkim kombëtar dhe për lënie mënjanë, për shkak të interesit kombëtar, besimin fetar, edhe ndarjen e tyre në myslimanë dhe të krishterë, ortodoksë e bektashinj. Por, këto dallime të poezive të botimit të parë dhe të dytë në këtë rast nuk na interesojnë. Na intereson të dimë më tutje, çfarë ka tjetër Hymni i flamurit i Nolit?
Ka dëshmi historike, ka dëshmi etnografike, ka dëshmi kulturore, ka dëshmi politike, ka dëshmi kombëtare, ka njohje të pushtuesve, ka numërim të betejave, të fitoreve dhe të humbjeve të tanëve dhe, si zakonisht në himne kombëtare, krenari dhe korrje të fitoreve. Noli nuk përmend emra të pushtuesve, as vitet e pushtimit të tyre, por teksa i përmend me emra të përgjithshëm, na flet edhe për identitetin e tyre kombëtar. Ai është njohës i mirë i historisë së hershme dhe të vonë shqiptare. E di se gjatë shekujve, me fillim në shekullin e 3 p. e. s. deri në fillim të shekullit 1 pas Krishtit, shqiptarët nuk iu nënshtruan pushtimit të romakëve, as të tjerëve pas tyre që donin të merrnin territor të saj, si Venediku që në shekullin XIV pushtoi disa qendra bregdetare të vendit. E përmend edhe Stefan Dushanin, edhe Perandorinë Osmane (sulltanët) që për pesë shekuj u përpoq ta bëjë Shqipërinë për vete dhe të vetën e që nuk ia doli sepse, ndër shumë arsye të tjera, shqiptarët në kohë krizash të mëdha, i linin mënjanë përçarjet e vogla (dallimet fetare) dhe të mëdha (fisnore) e luftonin dhe mbronin vendin. Ndër të tjera, zë në gojë edhe perandorin romak me prejardhje ilire, Shën Konstandinin, edhe figurat e ndritshme dhe më të mëdha kombëtare, Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, të cilin, me epitet përkëdhelës, për shkak të moshës dhe urtësisë së tij, e quan Malo.
Përpos këtyre që i bëmë të njohura deri më tash, krijimi i kësaj poezie ka edhe një qëllim tjetër, i cili është i autorit, i Fan Nolit, i sprovës së tij për të shkruar një poezi himn për flamurin, çfarë kishin bërë përpjekje të shkruanin edhe Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mihal Grameno, Hil Mosi, Lasgush Poradeci, Serembja, pas poezisë së Asdrenit Himni i flamurit, për të cilën u mor vendim nga Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e 1912-s e që pastaj, disa thanë për të se hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune.[4] Duke marrë shkas nga konkursi e ngrehur këtë rast të Asdrenit për plagjiaturë, Fishtës, Koliqit, Gramenos, Mosit, Poradecit, Nolit, Serembes dhe pak të tjerëve, iu dha rasti dhe u erdh frymëzimi poetik për të shkruar himn për flamurin shqiptar dhe, disa prej këtyre (Koliqi ka zënë vendin e parë në këtë konkurs), të paraqiten në konkursin e Ministrisë së Arsimit të shpallur për himn kombëtar. Ndërkohë, u shkruan dhe u kompozuan disa himne të tjera dhe u zgjodhën për himne kombëtare. Ashtu siç erdhën, me ndryshimet politike në Shqipëri, ashtu edhe shkuan. Mbeti përgjithmonë, deri më sot dhe, mbase, edhe për jetë e mot, për Shqipërinë po se po, deri në vitin 2008 edhe për Kosovën, himn për flamurin, poezia e Asdrenit, Himni i flamurit, që vazhdimisht citohet, recitohet, shkruhet gabim Rreth flamurit të përbashkuar. Ndërkohë është vërtetuar saktësisht, se himni kombëtar për flamurin shqiptar fillimisht ishte një këngë patriotike rumune që, më vonë, për dy vjet (1975-1977), u përdor për himn kombëtar rumun, derisa u punua dhe propozua një tjetër për Rumaninë, e për Shqipërinë në vitin 1912 u zgjodh poezia plagjiat e Asdrenit, dedikuar himnit të shtetit, marrë nga teksti i Andrew Bârseanus dhe nga kompozimi i Ciprian Porumbescut. Kështu që, këtë tekst të huaj, me titull Unifikimi mbi flamurin tonë është shkruar[5], shkrimtari ynë, pa aspak keqardhje, e ka bërë të vetin, ndërkohë edhe i është bërë himn kombëtar i Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë më 1912. Edhe sot ky tekst dhe ky kompozim njihen zyrtarisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Por, ja si duken ata në gjuhën shqipe dhe në gjuhën rumune.[6] (Shikojeni, për hollësi dhe krahasim, tekstin në fotografi). E, sipas Lasgush Poradecit, ky u zgjodh himni i Shqipërisë sepse kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë.[7]
Pavarësisht prej këtij qëndrimi të Poradecit dhe të të tjerëve, edhe të Migjenit që iu kundërvu këtij himni me poezinë Kënga që s’kuptohet, duhet të ndihemi të zhgënjyer që himni ynë kombëtar është i vetmi himn në botë që është vjedhur dhe vazhdon të pranohet, të dëgjohet, të recitohet, të këndohet e të intonohet në çdo ceremoni shtetërore, kombëtare e në olimpiada, kudo ku sportistët tanë, po përkrah rumunëve që i kanë veshët më inteligjentë dhe më të stërvitur për këtë himn, garojnë me ta në sporte të tjera dhe dalin fitimtarë etj. Ndërkaq, nëse i vëmë në raport krahasimi poezinë Hymni i flamurit dhe Himni i flamurit, çfarëdo analize që t’u bësh, jo edhe prejardhjes së tyre, semantikisht dhe stilistikisht të dyja janë të përshtatshme për natyrën dhe qëndresën e popullit shqiptar dhe të pranueshme për himn kombëtar. Kanë karakteristika të përbashkëta: ritëm të ngadalshëm, por edhe të dallueshme: ton të lartë (poezia Hymni i flamurit) dhe të butë (poezia Himni i flamurit). Poezia e Asdrenit ka tri strofa tetëshe që funksionojnë si gjashtë katërshe, ashtu siç i ka poezia e Nolit gjashtë strofa katërshe që funksionojnë si tri strofa tetëshe. Shkaku i zanoreve të shumta, edhe i përputhjes të rimave në fillim dhe në fund të vargjeve, të dyja poezitë kanë melodi dhe lehtë mund të përcillen me elemente muzikore. Sado që tingëllon më muzikor, plagjiati i Asdrenit nuk i bën nder Shqipërisë, as s’duhet t’u bëjë nder shqiptarëve, as t’i krenarojë, përpos t’i dëshpërojë dhe t’i rrëqethë se si i gëzohemi një vepre të huaj të cilën hajnisht e kemi bërë tonën e nuk jemi ndëshkuar, të paktën as moralisht, as pas kaq vitesh të shtetit shqiptar. Ndërkaq, Hymni i flamurit i Nolit, meqë përmend pushtues dhe u shpall luftë atyre, në demokracinë e sotme dhe në rrethanat kur shtetet shqiptare mezi presin të integrohen në Bashkimin Evropian dhe në integrime të tjera e të mëdha evropiane dhe botërore, edhe kërkojnë të kenë raporte të mira me fqinjët, është i papërshtatshëm për pranim. Ai, fatmirësisht, ka vdekur! Por, fatkeqësisht, shkaku i plagjiatit të Asdrenit, vazhdojmë të brohorasim shqipo-rumanisht dhe të ndihemi, prapëseprapë shqiptarë!
Referenca
[1] Fan S. Noli, Mall e brengë: vjersha, me një vështrim kritik prej Mitrush Kuteli-t, Botim i Mitrush Kutelit, Tiranë, 1943, f. 29
[2] Fan S. Noli, Vepra I, Tiranë, Botimet Dudaj, [2003], f. 37
[3] Po aty f. 37
[4] https://www.shqiperia.com/Himni-Kombetar.1558/ (shikuar më: 6. 10. 2016)
[5] https://www.youtube.com/watch?v=u5YrOuUypmo (dëgjuar më: 6. 10. 2016)
[6] http://www.gazetadita.al/a-e-vodhi-… (shikuar më: 6. 10. 2016)
[7] https://sq.wikipedia.org/wiki/Himni_i_Flamurit (shikuar më: 6. 10. 2016)