Shqipëria përballet me 11 vatra aktive zjarri, situata problematike në Malin e Dajtit
Shqipëria po përballet me 11 vatra aktive zjarri, ndërsa situata më problematike paraqitet në Malin e Dajtit. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë 6 shtatorit, deri në orën 20:00, janë raportuar gjithsej 20 vatra. Prej tyre, 11 mbeten aktive, shtatë janë nën mbikëqyrje, ndërsa dy janë shuar, transmeton KosovaPress. Në…
Lajme
Shqipëria po përballet me 11 vatra aktive zjarri, ndërsa situata më problematike paraqitet në Malin e Dajtit.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë 6 shtatorit, deri në orën 20:00, janë raportuar gjithsej 20 vatra. Prej tyre, 11 mbeten aktive, shtatë janë nën mbikëqyrje, ndërsa dy janë shuar, transmeton KosovaPress.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar strukturat vendore dhe Forcat e Armatosura, me kapacitete tokësore dhe ajrore.
Vëmendja kryesore mbetet në Malin e Dajtit, ku flakët vazhdojnë të jenë aktive. Në ndërhyrje po marrin pjesë edhe Forcat e Armatosura me efektivë, mjete dhe helikopter.
Situatë problematike paraqitet edhe në Kryezi të Kavajës. Krahas forcave zjarrfikëse, në këtë zonë është angazhuar edhe një avion “Air Tractor”.
Zjarre aktive janë raportuar gjithashtu në Dibër, veçanërisht në zonën Lundre–Madhesh të Matit. Në Lezhë po vazhdon ndërhyrja në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.
Në Qarkun e Shkodrës, vatra Bardhaj–Myselim mbetet aktive. Në operacion janë përfshirë strukturat vendore, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura, përfshirë dy helikopterë. Flakët vazhdojnë edhe në Kulumri të Fushë-Arrëzit.
Vatra aktive janë regjistruar edhe në Kropisht të Selenicës dhe Vokopolë të Poliçanit.
Ndërkohë, disa zjarre në Korçë, Elbasan, Durrës, Fier, Kukës dhe Shkodër janë nën mbikëqyrje. Situata në Drizë–Peshtan–Frakull të Fierit po ashtu po monitorohet.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e ndjek situatën në të gjithë territorin e Shqipërisë, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera përgjegjëse.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës.