Shqipëria nis hetimet për mashtrime me azilin në Gjermani

Rreth 2,200 shtetas shqiptarë janë larguar nga vendi vetëm tre muajt e fundit drejt Gjermanisë, me kërkesën për azil ekonomik.

Lajme

16/04/2015 21:09

Gjatë një interviste për Top Channel, zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Elona Gjebrea, tha se shtetasit shqiptarë po mashtrohen nga persona të caktuar, ndaj të cilëve kanë nisur hetimet për mashtrim me pasoja të rënda.

“Në momentin që flasim është duke u hetuar kjo çështje, konkretisht një agjenci turistike. Mendojmë që është një skemë mashtrimi kryesisht e ofruar nga kompanitë turistike për të përfituar ekonomikisht dhe për të gënjyer qytetarët. Për t’iu ofruar nën pretekstin e një azili mbërritjen në Gjermani, gjë që nuk është e vërtetë. Në mënyrë absolute, asnjë shtetas shqiptar nuk ka mundësi që të përfitojë azil në Gjermani, apo edhe në vende të tjera të BE-së. Nuk mund të flas më shumë për çështjen e hetimit, por janë përdorur rrjetet sociale pikërisht për të ofruar një mënyrë joshjeje për një jetë më të mirë në Gjermani. Por, ata kanë dalë garant edhe për t’i ndihmuar me pajisjen me pasaporta biometrike, gjë që u pa edhe nga fluksi i madh i kërkesave për pasaporta biometrike me procedura të përshpejtuara dhe në një kohë të shkurtër. Kjo ngriti edhe dyshimet tona për këtë skemë mashtrimi që ofrohet nga persona, qoftë nën petkun e agjencisë, por edhe individë të veçantë”, tha Gjebrea.