Të Infektuar: 4307

Të Shëruar: 2095

Të Vdekur: 94

Shqipëria, mbi 400 milionë tonë rezerva nafte dhe gazi

21:21 | 17 Mars 2015

Rafineria e naftës në Ballsh

Qeveria shqiptare publikoi një material të shoqëruar me grafika dhe skica të blloqeve të mundësive të kërkimit për naftë dhe gaz natyror në të gjithë territorin e vendit. Materiali u publikua në konferencën ndërkombëtare “Albania Oil, Gas & Energy Summit 2015”, që u zhvillua në Tiranë, raporton “Illyria Press”.

Ministri Damian Gjiknuri tha në konferencë se pavarësisht zhvillimeve që i quajti “jo shumë optimiste” në botë, Shqipëria ka dhënë sinjale pozitive sa i takon industrisë hidrokarbure. Ai veçoi si pritshmëri me shumë rëndësi atë që e cilësoi si “rezultat premtues i kërkimeve të deritanishme në zonën e Shpiragut nga kompanitë Shell-Petromanas”.

Në vitin 2014 në Shqipëri prodhimi i naftës bruto arriti nivelin 1.4 milion tonë, krahasuar me 1.2 milion ton që kishte qenë në vitin paraardhës 2013. Ndërkohë, po në shifrat krahasuese të viteve 2013-2014, nafta e përpunuar ka arritur në 60 mijë tonë, më 2013, dhe në 260 mijë tonë, më 2014.

Ministri tha se këto rezultate dëshmojnë se qeveria e sheh me përparësi industrinë përpunuese, duke dhënë shembullin e rivënies në punë të rafinerive të kompanisë “ARMO”.

Gjiknuri shtoi se me pritjen e investimeve të rritura “në industrinë e rafinimit, parashikohet se përpunimi i naftës në vitin 2015 të arrijë në mbi 700 mijë tonë”.

Ai në fund sugjeroi se rezervat e vendit në naftë dhe gaz arrijnë në mbi 400 milionë tonë, nga të cilat vlerësohet se rreth 40 milionë tonë janë ende lehtësisht të eksploatueshme”.