Shqipëria marrëveshje me kompaninë italiane, Rama: Garanton rezervat strategjike të naftës
Shqipëria ka nënshkruar sot një marrëveshje me kompaninë energjetike italiane Eni S.p.A. për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se bashkëpunimi…
Lajme
Shqipëria ka nënshkruar sot një marrëveshje me kompaninë energjetike italiane Eni S.p.A. për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se bashkëpunimi me partnerët italianë do të mundësojë krijimin e një operatori të ri në tregun e hidrokarbureve, i cili do të luajë rol rregullues dhe do të sigurojë rezerva strategjike për përballimin e krizave të mundshme.
Ai nënvizoi se ky është hapi i parë drejt zyrtarizimit të një projekti që synon të rrisë sigurinë e furnizimit dhe rolin e Shqipërisë në rajon.
“Dua të kujtoj se kohë më parë në fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik që të bëjë edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorin. Gjatë rrugës, na u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës që ne i kemi, sigurisht, të rregulluara me një kuadër ligjor”.
“Nga ana tjetër, duke pasur parasysh pikërisht këtë marrëdhënie të veçantë strategjike me Italinë dhe raportin e afërt të bashkëpunimit me Eni që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht potencë e madhe që ka edhe prezencën e vet në Shqipëri. Folëm për një bashkëpunim strategjik me krijimin e këtij operatori të ri që do të marrë përsipër edhe krijimin e rezervës strategjike të naftës. Shqipëria s’do të ketë më asnjë dilemë për çfarëdo krize që vjen përpara. Kemi nisur një proces dialogu që na ka sjellë sot në firmosjen e këtij hapi të parë në zyrtarizimin e procesit të kompanisë”, theksoi Rama.