Shqipëria kthen unazën e pilotit britanik të zhdukur në Luftën e Dytë Botërore

Unaza e fejesës e pilotit britanik, i cili ishte zhdukur gjatë Luftës së Dytë Botërore, është kthyer te familja e tij, 70 vjet pasi aeroplani i tij ishte përplasur në malet e Shqipërisë.

Lajme

10/03/2015 11:07

Inxhinieri i aeronautikës, John Thompson, me aeroplanin e tij të Forcave Ajrore Mbretërore, u zhduk në tetor të vitit 1944 dhe për dekada të tëra, familja, përfshirë nusen e tij, nuk kanë ditur asgjë për fatin e tij, raporton agjencia AFP.

“Sot vëllai im arriti në shtëpi”, tha Dorothy Webster, 93 vjeçare, me lot në sy, në ceremoninë e mbajtur në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Ajo në dorë e mbante një kuti të vogël me unazën e vëllait të saj, një gur nga vendi i rrëzimit të aeroplanit dhe një pjesë të mbetjes së aeroplanit, transmeton RFE.

Aeroplani bombardues i tipit Halifx ishte rrëzuar në malet afër Martaneshit, 60 kilometra në juglindje të kryeqytetit Tiranë.

Për të shtatë anëtarët e ekuipazhit më kurrë nuk është dëgjuar asnjë fjalë.

Fati i këtij aeroplani dhe i ekuipazhit do të mund të mbetej mister i përjetshëm, sikur në vitin 1960, fshatari, Jaho Cala, të mos e kishte gjetur gishtin dhe unazën me inicialet J&J.