Shqipëria dhe Kosova me treg të përbashkët energjetik

Qeveria shqiptare po projekton një treg të përbashkët energjetik me Kosovën, duke harmonizuar burimet hidrike të Shqipërisë me qymyrin e Kosovës. 

Lajme

27/10/2014 16:57

Kështu ka thënë sot ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ndërsa foli për investimet e reja dhe të ardhmen e sektorit energjetik shqiptar.

Ai shtoi se vetëm në vitin 2018, falë këtyre investimeve, Shqipëria do të ketë mundësi të ‘korr’ fitime nga sektori energjetik, pasi aktualisht është e varur nga importi.

Këto deklarata ministri Gjiknuri i bëri sot paradite gjatë takimit kombëtar për lansimin e operacionit të qeverisë kundër vjedhjes së energjisë.

Duke folur më tej për tregun e përbashkët rajonal të energjisë, Gjiknuri tha se qeveria do të fuqizojë lidhjet me vendet fqinje përsa i përket interkonjeksioneve, duke përfunduar veprën me Kosovën dhe duke filluar edhe veprën tjetër të lidhjes me Maqedoninë, duke krijuar një rrjet të mirë në Ballkan dhe duke kontribuar direkt në krijimin e tregut rajonal.

“Synojmë harmonizimin e burimeve me Kosovën. Forcimi i tregut rajonal dhe sidomos krijimi i një tregu së bashku me Kosovën krijon mundësi të arta për Shqipërinë për shkak të pasurive që ka Kosova me qymyr, që vazhdon të jetë një burim i qëndrueshëm deri-diku i lirë i energjisë, me burimet hidrike të Shqipërisë. Dhe pikërisht investimet në lidhjen mes këtyre dy vendeve do të krijojnë mundësi edhe për harmonizimin e këtyre burimeve, duke bërë investime të duhura dhe duke marrë avantazhin të dyja këto vende. Në vitin 2018 ne shpresojmë që sektori energjetik të kthehet në një sektor fitimprurës. Nuk është gjë e thjeshtë, dikujt 4 vjet mund t’i duken shumë, por reformat në energjetikë janë reforma që duan vite,” tha ai.

Lidhur me operacionin e nisur për dënimin e të gjithë atyre që vjedhin dhe nuk paguajnë energjinë elektrike, ministri shqiptar pranoi se ka edhe institucione publike dhe drejtues të tyre që janë shembull i keq për qytetarët, pasi ata të parët nuk kanë paguar faturat, por ministri siguroi se as ata nuk do ti shpëtojnë dënimit, transmeton KosovaPress.