Shqipëria, 100 vjet më pas

Për Shqipërinë po mundohem që të skicoj një skenar të ngjashëm në 100 vitet e ardhshme. Në vitin 2015 Kosovës i liberalizohen vizat me BE, në vitin 2018, pas vijimit të procesit të njohjeve, pranohet në OKB.

Opinion

30/11/2013 08:19

Duke perifrazuar titullin e librit të famshëm të George Friedman, “The next 100 years”, në përvjetorin e parë të shekullit të dytë të pavarësisë së Shqipërisë, marr guximin që të shkruaj se si e fantazoj unë Shqipërinë në 100 vitet e ardhshme.

Atëherë kur nipërit, mbesat, stërnipërit dhe pasardhësit tanë të tjerë do të festojnë me madhështinë që meriton 200-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Si sot e 99 vjet më pas, në 28 Nëntorin e vitit të largët   2112.

Shqipëria u shkëput e fundit nga Perandoria Osmane pas 500 vjetësh pushtimi. Procesi i Rilindjes sonë Kombëtare kulmoi me shpalljen e pavarësisë 101 vjet më parë. Dhe para dy ditësh, me propozim të opozitës, Parlamenti miratoi me unanimitet të plotë rezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE. Kryeministri Edi Rama, pas fitores së zgjedhjeve më 23 qershor 2013, përmes një programi “Për Rilindjen Shqiptare”, në mbledhjen e parë të qeverisë së re miratoi aktin e vendosjes së fotos së themeluesit të shtetit, Ismail bej Vlorës, në të gjitha zyrat e administratës.

Pas anëtarësimit të plotë në NATO, Shqipëria pritet që të marrë pas dy javësh edhe statusin e vendit kandidat për në BE. Kosova u çlirua më 1999-n nga pushtimi serb dhe 5 vjet më pas fitoi pavarësinë.

Duke realizuar profecinë e simbolit tonë kombëtar të shqiponjës me dy koka, duke krijuar dy shtete shqiptare në Ballkan. Presidenti i SHBA, Obama, i uroi shqiptarët sot për feste, ndërsa pak ditë më parë, Kryeministri Rama u takua me Kryeministrin e Kinës. Shekulli XX konsiderohet si shekulli i SHBA. Shekulli që po jetojmë, thuhet se mund të jetë i Kinës, që me ritmet e zhvillimit mendohet të tejkalojë fuqinë ekonomike të SHBA.

Ndërsa unë mendoj se pas 100 vjetësh, tendenca mund të jetë drejt një bote multicentriste. Në skenën e ekonomisë globale, ndryshe nga tani, do të ngrihen akoma edhe më shumë Rusia, India, Meksika, Brazili, Argjentina, Turqia, Polonia. Azia, Lindja e Mesme, por mbi të gjitha Afrika. Pa llogaritur ruajtjen e ritmeve të Gjermanisë, Italisë, Francës, Anglisë dhe Japonisë.

Në vitin 2020 pritet boom-i i parë i madh i Kinës e Rusisë. Më 2030-n, SHBA, me gjithë vështirësitë, do vazhdojë ta dominojë skenën, ecuria e mëtejshme e së cilës do të varet nga kriza ekonomike globale që parashikohet atë periudhë. Më 2040-n Friedman skicon preludin e një lufte të re të përbotshme për dominimin e shekullit XXI. Skenarin e së cilës mes SHBA dhe Kinës ai e sheh në vitin 2050. Turqia parashikon të luajë rol kyç për shkak të pozitës gjeografike e dominimit të deteve.

Njerëzimi, sigurisht që nuk do të zhduket. E nëse vazhdojmë t’i besojmë këtij skenari, 2060 do të jetë dekada e artë e zhvillimit ekonomik për planetin tonë deri më 2070-n. Për të rikthyer krizën ekonomike më 2080-n dhe për të vijuar më 2100-n e tutje me të tjerë skenarë që mendja e sotme njerëzore, për shkak edhe të ritmeve të zhvillimit teknologjik e shoqëror, me fantazi sado të ndezur që të jetë, nuk arrin që t’i rrokë dot.

Për Shqipërinë po mundohem që të skicoj një skenar të ngjashëm në 100 vitet e ardhshme. Në vitin 2015 Kosovës i liberalizohen vizat me BE, në vitin 2018, pas vijimit të procesit të njohjeve, pranohet në OKB.

Në vitin 2020 merr statusin e vendit kandidat për në BE. Në vitin 2023 bashkohet me Shqipërinë.

Në vitin 2025 shqiptarët pranohen me të drejta të plota në BE. Në vitin 2030 Shqipëria goditet nga një krizë ekonomike. Rimerr veten në vitin 2035 dhe deri më 2045-n bëhet një vend i zhvilluar, me të ardhura për frymë të popullsisë me mbi 9000 dollarë me indeksin e sotëm, me demokraci të konsoliduar dhe një nga tri shtetet më të zhvilluara në rajon, krahas Greqisë e Serbisë.

Në vitin 2050, Shqipëria në aleancë me Turqinë, luan rol në luftën mes SHBA dhe Kinës për dominimin e botës. Në vitin 2060 realizohet ëndrra e Sami Frasherit te “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, për t’u bërë pjesë e rrjeteve kryesore rajonale dhe euroaziatike të hekurudhave. Por edhe autostradave, gaz e naftësjellësve. Duke i shtuar kësaj edhe portet, aeroportet, rrjetet e transmetimeve satelitore dhe teknologjive të tjera të ndërlidhjes virtuale e të tjera të panjohura sot.

Boom-i ekonomik botëror 2060-2070 do ta bëjë Shqipërinë për herë të parë në histori, një superfuqi ekonomike rajonale. Për shkak të ritmeve të rritjes së popullsisë, Shqipëria e bashkuar do të ketë 13-15 milionë banorë dhe kryeqyteti i saj, Tirana, do të jetë bashkuar me Durrësin dhe Kavajën, me një popullsi prej 6-7 milionë banorësh. Porti i Durrësit, për shkak edhe të tregtisë me Beogradin e Shkupin, do të jetë më i rëndësishëm se i Selanikut. Në vitin 2080 kufijtë e Ballkanit dhe të Europës do jenë shkrirë dhe të gjithë popujt, shtetet e kombet e saj, përfshi Turqinë e Rusinë, do jenë pjesë e një shteti të vetëm e të përbashkët.

Duke realizuar në këtë mënyrë ëndrrën e vjetër disashekullore të shkencëtarëve, studiuesve, perandorëve, carëve, mbretërve e strategëve të shquar të kontinentit të vjetër. Dhe themelues të Europës së sotme moderne.

Në vitin 2100 shqiptarët do të kuptojnë më në fund se projekti i etërve tanë themelues është realizuar. Në vitin 2112, në orën 12:00, në qytetin e Vlorës, kur të ngrihet flamuri për 200-vjetorin e pavarësisë, në vendin ku Ismail bej Vlora ngriti flamurin më 1912-n, do të këndohet Himni i Flamurit. Në të do të jetë shtuar edhe strofa që është hequr e që nuk këndohet sot:

“Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombet shuhen përmbi dhé,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!”

 

(Panorama)