Shqipëri: 9,7 milionë vizitorë të huaj deri në shtator, pothuajse sa rekordi i gjithë 2023-shit
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, tha sot se “9,7 milionë vizitorë të huaj të pritur nga janari në shtator, në mbyllje të sezonit, duke arritur pothuaj gjithë bilancin e vitit që shkoi, që ishte edhe viti rekord në turizëm”. Në fjalën e saj në takimin vjetor për analizën e sezonit turistik…
Lajme
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, tha sot se “9,7 milionë vizitorë të huaj të pritur nga janari në shtator, në mbyllje të sezonit, duke arritur pothuaj gjithë bilancin e vitit që shkoi, që ishte edhe viti rekord në turizëm”.
Në fjalën e saj në takimin vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024 që po zhvillohet sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku është e pranishme edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrja Kumbaro tha se “kjo shifër është tregues i një turizmi që rritet bashkë me ambiciet tona për të konsoliduar një ofertë me nivelet më të larta të cilësisë, standardeve dhe mikpritjes”.
Kumbaro u shpreh se “Shqipëria ka arritur të konsolidojë një ofertë turistike të shtrirë gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë territorin, çka konfirmohet edhe nga rritjet e numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura e parqet kombëtare, sitet e kulturës dhe në sipërmarrjet e agroturizmit”, transmeton atsh, përcjell albinfo.ch.
“Kemi zbuluar rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor dhe këtë e tregojnë 4.5 milionë vizitorët e zonave të mbrojtura gjatë vitit 2024 apo 1 milion vizitorët e siteve të kulturës, falë punës së mirë që është bërë në promovimin e trashëgimisë kulturore. E tregojnë gjithashtu 270 ofertat në agroturizëm dhe kërkesa shumë e lartë për të qenë në këtë treg, ndërsa falë strategjisë së Agorturizmit, synimi është që potencialet e këtij sektori të përkthehen në 1000 njësi deri në vitin 2030”, tha Kumbaro.