Shqetësuese- 77 të vdekur në tetë muaj nga aksidentet në Kosovë, ekspertët tregojnë shkaqet kryesore
Tre persona humbën jetën vetëm gjatë së enjtes në aksidente të ndryshme trafiku në Kosovë. Një 17-vjeçar u godit për vdekje nga një veturë në rrugën Ferizaj–Prishtinë, ndërsa një tjetër person humbi jetën në një aksident mes një veture dhe një motoçiklete në Llukar të Prishtinës. Një tjetër aksident me fatalitet ishte raportuar edhe në…
Lajme
Tre persona humbën jetën vetëm gjatë së enjtes në aksidente të ndryshme trafiku në Kosovë.
Një 17-vjeçar u godit për vdekje nga një veturë në rrugën Ferizaj–Prishtinë, ndërsa një tjetër person humbi jetën në një aksident mes një veture dhe një motoçiklete në Llukar të Prishtinës.
Një tjetër aksident me fatalitet ishte raportuar edhe në vendin e ngjarjes në Istog.
Kosova vazhdon të përballet me një situatë shqetësuese në trafikun rrugor.
Vetëm gjatë periudhës janar–gusht 2026 janë regjistruar 72 aksidente fatale, katër më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për “Front Online” se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 733 aksidente trafiku ku kanë qenë të përfshira mjete me dy rrota, ndërsa 12 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.
Në tetë muajt e parë të vitit 2026, numri i aksidenteve të tilla ka arritur në 541, prej të cilave 14 kanë qenë fatale.
“Gjatë periudhës janar – gusht 2026 nga 541 aksidente ku të përfshira kanë qenë mjetet me dy rrota, 14 prej tyre kanë qenë me fatalitet”, thuhet në deklaratë.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, pavarësisht se numri i përgjithshëm i aksidenteve me mjete me dy rrota deri në gusht të këtij viti është më i ulët krahasuar me tërë vitin 2025, numri i aksidenteve me fatalitet është rritur.
“Gjatë vitit 2025 në aksidente të trafikut të përfshira kanë qenë edhe mjetet me dy rrota ku janë regjistruar 733 aksidente, 12 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Edhe më alarmues është fakti se 77 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku gjatë këtyre tetë muajve.
Të dhënat e siguruara nga Policia e Kosovës, në përgjigje të kërkesës së “Front Online”, tregojnë se pavarësisht rënies së numrit të përgjithshëm të aksidenteve, aksidentet me fatalitet kanë shënuar rritje prej 5.88 për qind.
Pra, në rrugët e Kosovës gati 10 persona në muaj kanë humbur jetën në aksidente trafiku gjatë tetë muajve të parë të këtij viti.
Ndërkohë, aksidentet me lëndime janë rritur nga 5,927 në 6,018 raste, një rritje prej 1.54 për qind.
Në këto aksidente, numri i personave të lënduar ka rënë nga 11,393 në 11,110, apo 283 persona më pak (-2.48%).
Rënia më e madhe është shënuar te aksidentet me dëme materiale, të cilat nga 10,421 raste në janar–gusht 2025 kanë zbritur në 9,122 raste në të njëjtën periudhë të vitit 2026, ose 1,299 raste më pak (-12.47%).
Eksperti i komunikacionit, Naser Lajqi ka thënë për “Front Online” se rritja e numrit të aksidenteve në trafik është rezultat i dy faktorëve kryesorë.
“Fenomeni i fundit me rritjen e rasteve të aksidenteve është si pasojë e faktorit njeri dhe infrastrukturës rrugore”, ka deklaruar Lajqi.
Sipas tij, shoferët duhet të tregojnë kujdes të shtuar, duke respektuar rregullat dhe shenjat e trafikut.
“Faktori njeri duhet të përgatitet që nga faza e parë në autoshkollë e gjatë drejtimit të automjetit duhet të ketë kujdes të shtuar ose t’i zbatojnë rregullat e trafikut dhe shenjat t’i respektojnë”, tha ai.
Lajqi ka kritikuar edhe infrastrukturën rrugore, duke theksuar se gjendja e tillë po ndikon në sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
“Infrastrukturat rrugore po sjellin shumë aksidente, nuk kanë as sinjalizime në rrugë, fatkeqësisht nuk kemi ditë që s’ka aksidente me të lënduar, e lëre më me fatalitet”, u shpreh eksperti i komunikacionit.
Policia e Kosovës ka theksuar se masat ndaj drejtuesve të mjeteve me dy rrota janë ndërmarrë në kuadër të zbatimit të ligjeve dhe rregullave të trafikut.
“Në zbatim të ligjeve në fuqi Policia e Kosovës shqipton gjoba për të gjitha llojet e kundërvajtjeve pa specifikuar llojin e mjetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sipas saj, në kuadër të këtyre masave janë përfshirë edhe mjetet me dy rrota që janë hasur në trafik duke shkelur rregullat.
“Pa dyshim që janë gjobitur e konfiskuar edhe mjetet me dy rrota të cilat janë hasur në trafik në kundërshtim me rregullat e trafikut”, deklaron Policia e Kosovës.
Policia ka bërë thirrje që për masat e ndërmarra ndaj këtyre mjeteve t’u referohet edhe postimeve të saj të përditshme në rrjetet sociale.
Përveç masave ndëshkuese, Policia e Kosovës thotë se gjatë vitit 2025 dhe gjatë këtij viti ka zhvilluar fushata vetëdijësuese për sigurinë në trafikun rrugor.
“Gjatë vitit 2025 dhe në këtë periudhë të vitit 2026, Policia e Kosovës ka zhvilluar vazhdimisht fushata vetëdijësuese lidhur me sigurinë në trafikun rrugor”, thuhet në deklaratë.
Sipas Policisë, në këto fushata kanë qenë të përfshira edhe aktivitetet sensibilizuese që lidhen me mjetet me dy rrota.
“Kanë qenë të përfshira edhe fushatat që lidhen me mjetet me dy rrota”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Të dhënat e publikuara nga Policia tregojnë se siguria e drejtuesve të motoçikletave dhe mjeteve të tjera me dy rrota mbetet një nga sfidat në trafikun rrugor, veçanërisht për shkak të pasojave të rënda që mund të kenë aksidentet me këto mjete.