Shqetësuese: 2 mijë të rinj kosovarë vdesin brenda vitit si pasojë e pirjes së duhanit

Brenda një viti vdesin rreth 2 mijë të rinj kosovarë nga konsumimi i duhanit, u tha sot në konferencën për fuqizimin e masave për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Lajme

16/12/2016 15:29

Kryeministri Isa Mustafa, në konferencë përmendi ndryshimin kulturor dhe shëndetësor që solli në Kosovë ky ligj, duke krijuar mjedise të lira nga pirja e duhanit, konsumim të zvogëluar në familje por edhe ulje në ekspozim ndaj duhanit në mesin e të rinjve. Megjithatë, kryeministri theksoi se ka pasur ulje të disiplinës të organeve mbikëqyrëse dhe zbatuese që nga viti 2013, kur Ligji u aprovua në Kuvend.

“Sipas të dhënave të raportuara brenda një viti, si pasojë e pirjes së duhanit, merret jeta e rreth dy mijë kosovarëve, pa llogaritur edhe humbjet tjera që lidhen me invaliditetin, me rënien e produktivitetit në punë, me vuajtjen dhe ngarkesat materiale e shpirtërore për familjet”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa ka kërkuar që takimi i sotëm të jetë një nxitës për të korrigjuar dhe për të përmirësuar sjelljet që do të mundësonin zbatim edhe më të mirë të Ligjit.

“Sa i përket anës së veprimeve qeveritare, përpos anës ligjore, ne kemi marrë edhe masa në ngritjen graduale të akcizës në duhan duke filluar nga 32 euro për kilogram në vitin 2013  për të arritur në 41 euro në vitin 2016, e cila ka krijuar kushte që të bie pak kërkesa për duhan dhe po ashtu të sigurohen të hyra për buxhetin si pasojë e kësaj. Do të bëjmë përpjekje më tutje që në koordinim me të gjitha organizatat të harmanizojmë politikat tona edhe në këtë aspekt”, tha kryeministri.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka kërkuar ndihmën e inspektorateve tjera për zbatimin e ligjit, por edhe të të gjitha institucioneve publike, sidomos angazhim më të madh nga ana e kryetarëve të komunave.

“Ne do t’i përmbushim obligimet tona duke përfunduar Programin për Kontroll të Duhanit, e gjithashtu edhe legjislacionin sekondar, por nëse në zbatim nuk angazhohen të gjitha inspektoratet, rezultatet prapë nuk do të jenë të mira. Prandaj,  Ministria e Shëndetësisë konsideron se qasja e mëtejme duhet të ndryshojë rrënjësisht, duke filluar nga ne si bartëse të këtij ligji, e gjithashtu, edhe nga organet tjera”, tha ministri Rrahmani.

Skënder Syla, shef i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë potencoi se numri i madh i vdekjeve të parakohshme në Kosovë që vjen nga duhanpirja aktive dhe pasive, është dëshmi e qartë për nevojën e veprimit të menjëhershëm dhe të domosdoshëm institucional dhe individual.

“Ligji për Kontrollin e Duhanit vë në prioritet kontrollin e duhanit, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik të gjeneratave të tashme dhe të ardhme, nga pasojat shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore nga konsumimi i duhanit”,  tha Syla.