“Shpresat te mërgata” – I madh e i vogël nga Vetëvendosje iu bëjnë thirrje mërgimtarëve për t’u regjistruar për të votuar nga jashtë

Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vetëm një muaj larg, e partitë politike janë mobilizuar për të arritur sukses në këto zgjedhje. Ndonëse fushata ende nuk ka filluar, akterë politikë në vend po i shfrytëzojnë rrjetet e tyre sociale për t’iu kërkuar votën qytetarëve të Kosovës dhe atyre që jetojnë jashtë saj, mërgatës. Që kur ka…

Lajme

27/11/2025 13:32

Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vetëm një muaj larg, e partitë politike janë mobilizuar për të arritur sukses në këto zgjedhje.

Ndonëse fushata ende nuk ka filluar, akterë politikë në vend po i shfrytëzojnë rrjetet e tyre sociale për t’iu kërkuar votën qytetarëve të Kosovës dhe atyre që jetojnë jashtë saj, mërgatës.

Që kur ka filluar afati për regjistrimin e atyre që duan të votojnë nga Qendrat e Votimit jashtë Kosovës, thirrjet e Vetëvendosjes për t’u regjistruar nuk kanë të ndalur.

Edhe i pari i kësaj partie, Albin Kurti iu ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen e të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“E dashur mërgatë, të nderuar bashkatdhetarë, po iu drejtohem sërish brenda këtij viti dhe me të njëjtën thirrje të rëndësishme: votime nga mërgata”, ka thënë Kurti përmes një videomesazhi.

Ai shfrytëzoi atë që të kritikoj e akuzoj opozitën për bllokadën e krijuar.

“Ne bëmë çmos që të formoheshin institucionet e Republikës. Bëmë shumë lëvizje e ofruam disa opsione por opozita ka marrë disa vendime bllokuese. Ata nuk duan një qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje! Ata nuk duan Qeverisje që i prek ata në interesat e tyre të ngushta. Ata duan të vazhdojnë avazin e vjetër. Prandaj, bllokada është opsioni i tyre i vetëm. Por, ne së bashku dhe Republika e Kosovës nuk ua kemi borxh teket e tyre”, shtoi Kurti.

Ai ju ka kujtuar mërgatës për mundësitë që i kanë për të votuar nga jashtë Kosovës.

“Sot është hapur afati për votim nga mërgata. Është e rëndësishme që ju që nuk keni planifikuar të udhëtoni për në Kosovë më 28 dhjetor, të regjistroheni sa më parë në linkun e regjistruar në tekst, për të pasur mundësinë për të votuar prej jashtë vendit. Nëse keni afër një ambasadë ose konsullatë të Kosovës, regjistrohuni për votim aty. Nëse nuk keni, atëherë regjistrohuni për votim me postë. Afati këtë herë është i shkurtut, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor, prandaj mos e shtyni, regjistrohuni sa më parë”, ka shtuar Kurti në këtë videomesazh.

Thirrje për t’u regjistruar mërgatës, iu ka bërë edhe kryetarja e Alternativës dhe deputetja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“E dashur mërgatë, Nëse nuk vini në Kosovë për fundvit, regjistrohuni online për të votuar nga vendi ku jetoni. KUJDES: Nëse zgjidhni votimin me postë, nuk mund të votoni fizikisht në Kosovë. Linku është tashmë i hapur në: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter. Afati i regjistrimit është i hapur deri më: 6 dhjetor 2025. Mos e lini për në fund, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen tonë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Të njëjtën thirrje e ka bërë edhe Faton Peci. Ai është shprehur i lumtur, që 28 dhjetori është caktuar si data më e përshtatshme dhe një mundësi ideale që mërgata të përcaktoj drejtimin katërvjeçar të vendit.

“E dashur mërgatë, Jam i lumtur që 28 dhjetori 2025 është caktuar si data më e përshtatshme dhe një mundësi ideale që ju, me rolin tuaj të rëndësishëm, të përcaktoni drejtimin katërvjeçar të vendit. Sot ka nisur edhe regjistrimi për votimin jashtë vendit, aktiv deri më 26 dhjetor 2025. Ju bashkatdhetarë që nuk do të jeni në Kosovë për fundvitit, ka shumë rëndësi që të regjistroheni online: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter

– Votimi me postë: nga 12 deri më 27 Dhjetor 2025.

– Votimi në përfaqësi diplomatike: më 27 Dhjetor 2025.

Vota juaj ka rëndësi, për Kosovën, për familjen dhe për të ardhmen e vendit”, ka shkruar Peci.

Përmes një videomesazhi, thirrje iu ka bërë edhe deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci si dhe deputetja e VV-së, Fitore Pacolli të cilën e ka postuar në rrjetin social Facebook.

Thirrje të shumta kanë ardhur nga VV drejtuar mërgatës, që të regjistrohen për të votuar. Nga kjo parti po i shohin si një “shpresë” të madhe drejt fitores mërgatën dhe përkrahjen e tyre, prandaj edhe po iu rikujtojnë në vazhdimësi për të votuar.

28 dhjetori, datë e cila është caktuar nga presidentja Vjosa Osmani është kritikuar shumë nga partitë e tjera, për shkak se kanë konsideruar se është zgjedhur me vendim të Albin Kurtit. /Lajmi.net/