Shpifësit para Drejtësisë

Ramush Haradinaj nuk e ka ndërmend të durojë më. Thotë se ata që shpifin do t’i ballafaqojë me fjalët e tyre, kadaldale, me mekanizma ligjorë. Kështu, ai iu përgjigj akuzave të Kandidatit të LDK'së për Pejën, Gazmend Muhaxherit.

Lajme

26/11/2013 22:40

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar të martën mbrëma, se nuk e ka ndërmend t’i durojë edhe më tutje akuzat në adresë të tij dhe subjektit që ai udhëheq, por do t’i ballafaqojë të gjithë me Gjyqin.

Haradinaj ka pohuar se të gjithë ata që thonë të pavërteta, do të përballen me drejtësinë.

Këto komente, ai ka bërë gjatë një takimi që bashkë me Kandidatin për Kryetar të Komunës së Pejës, Ali Berisha, ka zhvilluar me shoqatat e dala nga lufta e UÇK’së.

Ai ishte kritik për Kandidatin e LDK’së për Pejën, Gazmend Muhaxheri, i cili një ditë më parë tha se struktura të AAK’së janë të përfshira në disa vrasje të pasluftës.

“Në fakt, ai e ka konfirmuar. I është bashkuar një liste, e cila është bukur e gjatë, shpifësish. “Njerëz që shpifin, njerëz të ulët, listë e cila fillon kush e di ku, kryesisht te kojshitë tanë, por pasurohet edhe me bashkëkombas tanë.”

“Mirëpo, për këtë, nuk e kërkoj ndihmën tuaj për këtë shpifje. Por, duam të shohim, për të dhe për të gjithë të tjerët, me mekanizma ligjorë, kadaldal, t’i ballafaqojmë të gjithë me fjalën e tyre, e t’i bëjmë përgjegjës për atë që thonë.”

“Jam i bindur që një ditë do ta lexoni në media që ai ballafaqohet për ato që i ka thanë”.

Haradinaj, tutje, ka shprehur bindjen për fitoren e Ali Berishës në Pejë, duke kërkuar proces të drejtë deri në zgjedhje.