Shpëtoi 85-vjeçarin italian nga mbytja, Meloni falenderon ‘heroin’ shqiptar për aktin
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përshëndetur aktin e të riut shqiptar Elton Zefi, i cili shpëtoi një 85-vjeçar, i cili ra në lumë me makinën e tij dhe rrezikonte të mbytej. Kryetarja e Qeverisë Italiane shkroi në Instagram këtë të shtunë se jeta e një personi arriti të shpëtohej falë guximit dhe altruizmit të të…
Lajme
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përshëndetur aktin e të riut shqiptar Elton Zefi, i cili shpëtoi një 85-vjeçar, i cili ra në lumë me makinën e tij dhe rrezikonte të mbytej.
Kryetarja e Qeverisë Italiane shkroi në Instagram këtë të shtunë se jeta e një personi arriti të shpëtohej falë guximit dhe altruizmit të të riut shqiptar, të cilin e cilësoi një hero.Elton Zefi, 32 vjeç, nuk hezitoi as për një sekondë kur pa një makinë të zhytej në ujërat e kanalit Battaglia në Padova.
Ai u hodh menjëherë në ujë dhe arriti t’i shpëtonte jetën një biznesmeni 85-vjeçar, i cili rrezikonte të mbytej brenda automjetit të tij.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00. Giuseppe Salvalajo, një sipërmarrës i njohur nga Padova, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal për arsye ende të paqarta.
Automjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda, në gjendje shoku.
Në atë çast, Elton Zefi, i cili atë ditë festonte ditëlindjen, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë, bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë. Ata tentuan fillimisht të thyenin xhamat e makinës, por pa sukses.
Zefi tregoi më pas se kishte arritur të dallonte dorën e të moshuarit nga sedilja e pasme, ku xhami kishte mbetur i hapur. Aty ai kuptoi se kishte shpresë.
Pas disa përpjekjesh, i lodhur, me këmbët e mpira nga të ftohtit dhe duke rrezikuar të mbytej edhe vetë, ai vendosi të bënte dhe një përpjekje të fundit.Dhe ajo përpjekje u shpërblye.
85-vjeçari arriti të dilte nga makina dhe të nxirrej në breg. Pak çaste më vonë mbërritën edhe ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa gjithë momenti u regjistrua në një video që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale. Burri i moshuar u transportua në spital, ku mori kujdes mjekësor dhe është tashmë jashtë rrezikut për jetën.