Shpëtohen dy bjeshkatarë çekë të bllokuar nga moti i keq në majën e Piribregut
Dy bjeshkatarë me shtetësi çeke janë shpëtuar të dielën në majën e Piribregut, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi kishin mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq dhe mjegullës. Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), dy bjeshkatarët, të moshave 40 dhe 22 vjeç, kishin qëndruar në…
Lajme
Dy bjeshkatarë me shtetësi çeke janë shpëtuar të dielën në majën e Piribregut, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi kishin mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq dhe mjegullës.
Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), dy bjeshkatarët, të moshave 40 dhe 22 vjeç, kishin qëndruar në një strehimore në lartësinë 2 mijë e 524 metra mbi nivelin e detit që nga dita e shtunë, pasi kushtet atmosferike ua kishin pamundësuar orientimin dhe vazhdimin e rrugëtimit.
Pas pranimit të thirrjes emergjente nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ShKShMK aktivizoi ekipin e shpëtimit, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Shtërpcë.
Shpëtuesit arritën te bjeshkatarët, u ofruan ndihmën e parë dhe i evakuuan deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Operacioni zgjati katër orë nga momenti i pranimit të thirrjes emergjente.
Më pas, dy shtetasit çekë u transportuan në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë dhe iu dorëzuan Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejshme.
ShKShMK ka vlerësuar se njoftimi me kohë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve mundësuan përfundimin me sukses të operacionit, ndërsa u ka bërë thirrje bjeshkatarëve që para nisjes të kontrollojnë parashikimin e motit, të vlerësojnë kushtet e sigurisë dhe t’i përshtatin planet me situatën në terren. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: