Shpëtimi nga vetvetja

Bota e lume perëndimore, Amerika dhe Evropa, duhet të na shpëtojnë nga vetvetja. Këtë po e kërkojmë prej atyre kohëve të fundit.

Opinion

04/10/2018 09:13

Vjeshta e sivjetme në këtë politikën tonë, duket që do të jetë stinë e letrave.

Zyrtarë dhe politikanë të ndryshëm, qeveritarë dhe opozitarë, javëve të fundit kanë shkruar letra dhe i janë drejtuar Washingtonit, Brukselit dhe kryeqendrave të tjera perëndimore, me gjasë, më shumë se në dhjetë vjetët e fundit së bashku, me qëndrime dhe kërkesa të prera politike.

Të gjitha këto letra kanë objektivisht, një emërues të përbashkët, i cili natyrisht, nuk gjinden në asnjë rresht dhe në asnjë fjalë që thuhet në këto letra. Bota e lume perëndimore pra, Amerika dhe Evropa, duhet të na shpëtojnë neve nga vetëvetja. Ndërsa aktualisht, si SHBA-ja, si BE-ja, janë të zëna me shpëtimin e vetes së pari. Së pari Amerika dhe BE, siç dihet, tash e sa kohë. Pastaj të tjerët. Nuk jemi ne pra fare në Rendin e ditës, në atë kategorinë e atyre që duhet të shpëtohen.

Bota është bërë lëmsh i madh. Por këtë informatë ne nuk e kemi. Në politikën tonë.

Shkruarja e letrave/ apeleve/ thirrjeve, ka qenë e domosdoshme për ne, në vitet e rënda të okupimit. Në to, politika shqiptare e rezistencës paqësore një herë, e pastaj edhe e asaj të armatosur, shfaqej e matur, e kujdeshme, e qartë, duke ftuar si thoshim atëherë, ‘qendrat e vendosjes’, që të ndërmarrin gjithçka çka duhet që të shpëtohet një popull i tërë, që ishte në rrezik të vazhdueshëm nga një pushtet dhe një shtet, dhe që më në fund, të krijohen rethanat kur ne vet, si shqiptarë të Kosovës, do të vendosnim për vete, do të ishim të lirë, do të krijonim institucione demokratike, do ta bënim edhe shtetin e Kosovës.

Natyrisht, në këto qindra e mijëra letra që i kemi drejtuar prej nesh kah Perëndimi, jemi shfaqur të bashkuar rreth çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Kosova u çlirua, u bëmë shtet, i kemi të gjitha institucionet e mundshme, patëm zgjedhje lokale dhe të përgjithshme sa e sa herë, por ja që dhjetë vjet pas krijimit të shtetit dhe gati njëzet vjet pas çlirimit, iu kthyem letrave, tani në rrethana krejtësisht të tjera, si në Kosovë, ashtu edhe në Evropë dhe në Botë.

U tha pak më parë: Ne në vitet e nëntëdhjeta kërkonim me të drejtë të bëheshim të lirë dhe të pavarur, për të vendosur pastaj vet për fatin tonë. Tani, kur e kemi të garantuar këtë të drejtë, ne shkruajmë letra dhe kërkojmë që instancat më të larta të Perëndimit, të vendosin për neve, apo për më shumë, të bëhen edhe ndërmjetësues në mes nesh.

Mund të ketë në një politikë të një shteti edhe letërkëmbim politik, publik apo konfidensial, në mes të politikanëve dhe partive. Ato synojnë që në rrethana të veçanta politike, kur duhet ndërtuar qëndrimet për një çështje shumë të rëndësishme për një vend, të sigurohet ndikimi politik. Ky letërkëmbim pastaj bëhet shtytës për takime politike të të gjitha llojeve, për ta siguruar qëndrueshmërinë e një shteti, të një politike. Qëllimi kryesor këtu është zgjidhja e problemeve në një komunikim intenziv, të të gjitha formave, në mes të politikanëve. Por është e pakuptimtë që ne, në vitin kur shënojmë dhjetëvjetorin e ekzistencës së shtetit të Kosovës, të shkruajmë letra në mbarë Botën, dhe të mos jemi të gatshëm që të ulemi e të bisedojmë shtruar, për të gjitha temat relevante të këtij shteti dhe të qytetarëve të tij, dhe për tu marrë vesh se si duhet vepruar tash e tutje, që Kosova t’i tejkalojë disa sprova reale, adresimi i të cilave është i domosdoshëm për ta bërë këtë shtet të qëndrueshëm.

Por, të gjithë e dimë që në ndërkohë, për shkaqe të shumta, është dobësuar tej mase ajo përgjegjësia politike e mbajtjes së shtetit të Kosovës, e cila nënkuptonte artikulimin dhe respektimin e plotë të interesit shtetëror.

Po të ishte kështu, sikur pra të gjithë ne do të kishim një përgjegjësi themelore politike, do ta dinim fare mirë që është interes i Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të tij, që sa më parë që do të jetë e mundur, të sigurohet udhëtimi pa viza për Evropë. Ndërsa javën e kaluar, Delegacioni i Coweb-it, në takimin që pati me parlamentarët tonë, u shokua me faktin që në mesin e tyre kishte të tillë që kundërshtonin liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.