Shpërthimi i veturës së u.d drejtorit të QKUK-së, Prokuroria nis hetimet për rastin e përdorimit të mjetit të rrezikshëm

Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua sot tek Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Shpërthimi ndodhi pikërisht në veturën e u.d së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari. Si fillim në media u raportua shpërthimi, derisa një gjë e tillë u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës dhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Sipas të…

Lajme

30/04/2025 14:18

Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua sot tek Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Shpërthimi ndodhi pikërisht në veturën e u.d së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.

Si fillim në media u raportua shpërthimi, derisa një gjë e tillë u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës dhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas të njëjtëve, shpërthimi ndodhi në veturën që ishte e parkuar tek pjesa e QKUK-së, derisa brenda klinikave parashihej të fillonte mbledhja e Bordit të QKUK-së.

E në lidhje me këtë shpërthim, nga Prokuroria e Prishtinës kanë dekoruar për lajmi.net se tashmë kanë filluar hetimet në lidhje me këtë rast.

Sipas Prokurorisë rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka iniciuar rastin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ si dhe  Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, thuhet në përgjigje.

Gjithashtu u theksua se Prokurori i Shtetit dhe Njësitë përkatëse janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshëm hetimore mbi këtë çështje.

“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale”, u tha nga Policia e Kosovës.

E në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe vetë Hajdari, transmeton lajmi.net.

Ai deklaroi se nuk ka asnjë obligim ndaj askujt.

“Nuk kam kurrfarë obligimi ndaj askujt kam ardhë në punë si çdo ditë. Për çdo gjë referojuni komunikatës, sepse çdo gjë që them mos po i prishi hetimet”, tha ai Hajdari.

Nga SHSKUK-ja kanë deklaruar se në parkingun e administratës ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të Hajdarit.

“Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës.Dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së”,thuhet në njoftim./Lajmi.net/