“Shpërfilli” kuvendin e Mitrovicës së Veriut, Elshani: S’e kam obligim ligjor të raportoj

Ishte ftuar të raportonte në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 27 mars 2026. Por, zëdhënësi i Drejtësisë Rajonale në Mitrovicë të Veriut thotë se nuk iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese meqë nuk e ka obligim ligjor. Elshani tregon për KosovaPress se obligimi ligjor i Policisë është që të raportojë vetëm në Këshillin Komunal…

Lajme

02/04/2026 13:44

Ishte ftuar të raportonte në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 27 mars 2026. Por, zëdhënësi i Drejtësisë Rajonale në Mitrovicë të Veriut thotë se nuk iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese meqë nuk e ka obligim ligjor.

Elshani tregon për KosovaPress se obligimi ligjor i Policisë është që të raportojë vetëm në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), një organ që formohet nga kryetari i komunës dhe funksionon në bazë të udhëzimeve administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Fillimisht me thënë që ne nuk e kemi obligim me raportu para kuvendeve komunale kudo në Kosovë, nuk e kemi obligim ligjor. Obligim ligjor e kemi me raportu tek KKSB-ja, është një organ që formohet nga kryetari i komunës, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi. Aty, kur të formohet nga kryetari i komunës, që mundet me qenë një prift, një hoxhë, drejtori i shkollës, i fakultetit, dikush – nuk është me rëndësi – formohet një komision i caktuar aty që është i parapamë me udhëzime administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aty shkojmë dhe raportojmë, por jo para kuvendit komunal”, thotë ai.

Ai thotë se ftesa të tilla kanë marrë edhe më parë.

“Ne kemi pasur raste kur kemi një raportim vjetor, mirëpo ai raportim vjetor mund të mbahet në vendin ku mbahet seanca e kuvendit komunal, sepse është vendi më i mirë dhe më i hapur për njerëzit dhe mund të marrin pjesë të gjithë. Ne e ftojmë raportimin, ne e bëjmë raportimin, por nuk kemi obligim me shku edhe me raportu para kuvendit komunal. Kemi pasur ftesa nga Leposaviqi fillimisht, nga Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, por ne nuk do të raportojmë me kërkesë të Kuvendit Komunal. Çdo herë kur kryetarët e komunave na thërrasin, komandantët e stacioneve shkojnë dhe flasin me ta tek KKSB-ja, ku e kemi obligim me raportu”, thotë Elshani.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut i ka bërë ftesë komandantit të stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, që të raportojë për situatën e sigurisë në këtë komunë, në mbledhjen e katërt të rregullt të mbajtur, më 27 mars 2026.

Megjithatë, mosprezenca e tij në këtë seancë ka nxitur debat të ashpër mes përfaqësuesve politikë lokalë, të cilët kanë shprehur qëndrime të kundërta për obligimet ligjore dhe bashkëpunimin institucional.