Shpenzimi i parave publike në Kosovë: Çka tregojnë të dhënat?

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, buxheti vjetor i vendit ka ndjekur trendin konstant të rritjes. Ndër vite, qeveritë e ndryshme kanë pasur prioritete të ndryshme gjatë menaxhimit të buxhetit vjetor. Kur Qeveria e Kosovës ka marrë për herë të parë përgjegjësinë e menaxhimit me buxhetin vjetor nga Misioni i Kombeve…

Lajme

06/02/2025 10:01

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, buxheti vjetor i vendit ka ndjekur trendin konstant të rritjes. Ndër vite, qeveritë e ndryshme kanë pasur prioritete të ndryshme gjatë menaxhimit të buxhetit vjetor.

Kur Qeveria e Kosovës ka marrë për herë të parë përgjegjësinë e menaxhimit me buxhetin vjetor nga Misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK, në vitin 2008, buxheti ka qenë pak mbi një miliard euro.

Që nga ajo kohë, buxheti është më shumë se dyfishuar.

Me ndryshimin e qeverive, ndarja e buxhetit nëpër ministri të ndryshme ka nxjerrë në pah edhe ku janë fokusuar ato qeveri.

Por, ndryshimi i shpeshtë i tyre ka bërë që edhe fokusi të ndryshonte shpesh.

Të dhënat tregojnë se, më parë, një pjesë e madhe e buxhetit është shpenzuar për infrastrukturë dhe planifikim hapësinor, por ky buxhet tani është më i vogël seç ka qenë në vitin 2010, shkruan REL.

Për shëndetësi, ndërkaq, buxheti ka mbetur pothuajse i njëjtë ndër vite, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm.

Qeveria aktuale – e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje – është qeveria e parë që arrin ta përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Që nga viti 2015, me buxhetin kanë udhëhequr Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albin Kurti i Vetëvendosjes në qeverisjen e parë më 2020, para se të zëvendësohej pastaj nga Avdullah Hoti i LDK-së për më pak se një vit.

Por, përderisa buxheti tregon planin e qeverisë për ndarjen e parave publike, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregon edhe shpenzimet që qeveria ka bërë përmes raporteve që publikohen çdo tre muaj.

Gjatë viteve të fundit, më së shumti para janë shpenzuar për mbrojtje sociale, duke e zëvendësuar kështu prioritetin e mëparshëm për çështje ekonomike.