Shpendi ‘zbulon’ pusin e naftës

Mund të konkurrojë kush të dojë, por tenderët në komunën e Prishtinës për furnizim me derivate, si të siguruar me “tapi”, po del se i ka vetëm kompania “Petrol Company”. 

Lajme

26/09/2014 12:28

Kjo kompani e cila drejtohet nga Shkelzen Jusaj, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së, kohëve të fundit është duke i marrë gati të gjithë tenderët në institucionet e Komunës së Prishtinës.

Deri tani, besimin kësaj kompanie për t’i furnizuar me lëndë djegëse ia kanë dhënë Komuna e Prishtinës, Ngrohtorja “Termokos” e Ujësjellësi “Prishtina”.

Vlera e krejt këtyre tenderëve e kalon shumën e dy milionë e 600 mijë eurove.

Mund të jenë rivalë partiak, por kur është puna tek tenderët kjo nuk ka rëndësi fare.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe pronari kompanisë së derivateve “Petrol Company”, Shkelzen Jusaj, që është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duket se janë duke bashkëpunuar fort mes vete.

Këta dy madje nuk janë duke e çarë kokën për konkurrentët.

Deri tani, pjesën më të madhe të tenderëve që janë shpallur për furnizim me derivate nga Komuna dhe institucionet që janë nën mbikëqyrjen e saj i ka marrë kompania e Jusajt.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë pranuar ta thonë asnjë fjalë për këtë punë.

Njësoj kanë vepruar edhe ata të ngrohtores Termokos.

Express ka dy ditë që është duke kërkuar përgjigje nga këto institucione.

 Të vetmit që kanë pranuar të flasin janë drejtuesit e Ujësjellësit “Prishtina”. Këta kanë treguar se “Petrol Company” e ka fituar tenderin pasi ka qenë më i lirë në garë.