Shpendi synon balotazhin
Në aktivitetin e parë parazgjedhor në garën për Kryetar të Komunës së Prishtinës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti i cilësoi si pompoze pritjet e Kryetarit aktual Isa Mustafa për të fituar pa balotazh më 3 nëntor. Gjatë një aksioni të Vetëvendosjes për vendosjen e hartave të Trafikut Urban në Prishtinë, Ahmeti tha se asnjëri…

Lajme
Në aktivitetin e parë parazgjedhor në garën për Kryetar të Komunës së Prishtinës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti i cilësoi si pompoze pritjet e Kryetarit aktual Isa Mustafa për të fituar pa balotazh më 3 nëntor.
Gjatë një aksioni të Vetëvendosjes për vendosjen e hartave të Trafikut Urban në Prishtinë, Ahmeti tha se asnjëri kandidat nuk do të mund ta fitojë Prishtinën pa balotazh.
“Nuk mendoj se asnjëri subjekt politik do të mund të fitojë pa balotazh në Prishtinë. Unë mendoj se mund të ketë një garë mes dy subjekteve. Natyrisht synojmë që të jemi njëri prej atyre dy subjekteve”.
Në rast të fitores së tij, Ahmeti premtoi vënien në rend të trafikut urban në Kryeqytet.
“Kemi filluar ta shpalosim një pjesë të programit të cilin ata që janë në pushtet nuk e kanë pasur mundësinë që ta bëjnë katër vitet e kaluara nuk e kanë bërë. Ne po e shfrytëzojmë kohën që t`u tregojmë qytetarëve se po merremi me problemet e tyre”.
“Ju e shihni që me një punë të vogël, por që është punë e madhe, mund të prezantohet një hartë e trafikut urban në Prishtinë sepse ndodh që as nuk dihet orari as nuk dihet se në sa ora vjen një autobus e as çfarë shtrirje ka”.
Paraqitja publike e Ahmetit përfundoi aty ku filloi, afër “Newborn”.
Aktivistë tjerë të Vetëvendosjes vazhduan vendosjen e hartave të autobusëve urbanë në të gjitha pikat e ndaljes së tyre në Prishtinë.