Shpend Kursani: Varrimi për të rënët e Kumanovës të bëhet pa ceremoni shtetërore (Video)
Analisti Kursani thotë se nëse të rënët në Kumanovë nderohen do të ishte ngacmim diplomatik. Ata sipas tij, nuk kanë luftuar në Kosovë dhe nuk mund të shpallen heronj të saj. Ndërsa, Shkumbin Demaliaj thotë se Kosova u ka borxh djemve që u vranë që t’i shpallë heronj.

Lajme
Pas rënies së ish luftëtarëve të ish-UÇK-së në Kumanovë, dilema se a duhet të shpallen ata heronj apo jo është diskutuar edhe në studion e Info Magazine në Klan Kosova, ku të ftuar ishin: analisti Shpend Kursani dhe Shkumbin Demaliaj ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së.
Kursani ka thënë se kosovarët e rënë në Kumanovë nuk duhet të nderohen me ceremoni shtetërore, sepse kjo do të jepte sinjalin se Kosova qëndronte prapa tyre.
Ai ka deklaruar në Info Magazine se nderimi i tyre do të mund të prodhonte ekces ndërshtetëror.
“Nëse të rënët nderohen, do të ishte ngacmim diplomatik. Do të shihej sikur një përkrahje indirekte e Kosovës për konfliktin në Kumanovë”.
“Nëse nderohen për veprimet në Kumanovë, do te ishte sinjal që Kosova i ka dërguar atje. Shkuarja e tyre në Maqedoni ishte vullneti i tyre. Kosova nuk ju qëndron prapa”.
Mirëpo, krejt ndryshe ka deklaruar ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj.
“Të rënët e Kumanovës duhet të shpallen heronj”.
“Kosova u ka shumë borxh këtyre djemve. Duhet të krijohet sa më parë një komision i cili do t’i shpallë heronj. Kosovarët nuk morën pjesë në një luftë të huaj, por në luftën për shqiptarët”.
Statusi i të rënëve në Kumanovë nuk ishte dilema e vetme e të ftuarve. Kursani dhe Demaliaj kishin mospajtime sa i përket çështjes se nëse ish luftëtarët e UÇK-së ishin manipuluar ose jo.
“Luftëtarët në Kumanovë ishin të manipuluar”, ka konstatuar Kursani.
Ndërkaq Demaliaj ka konsideruar se diçka tjetër i shtyu ata të luftojnë në Kumanovë.
“Duke i njohur për nga afër Beg Rizajn, Mirsad Ndrecajn dhe Xhafë Zymberin, ata nuk kanë mundur të manipulohen”.
“Dashuria e tyre ndaj atdheut i bëri të shkojnë atje, e jo ndonjë forcë manipuluese”.
