Shpend Ahmeti harron premtimin për shujta të nxehta, vazhdon me kiflet

Përkundër premtimit të Shpend Ahmetit, për shpërndarje të shujtave të nxehta për nxënësit në shkollat e Prishtinës, komuna sërish ka rikthyer furnizimin me kifle për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

Lajme

04/03/2020 18:44

Kontratën për këtë tani e ka fituar kompania “Premium Bakery”, e cila Komunës së Prishtinës  do t’i kushtojë plotë 247 mijë e 752 euro.

“Premium Bakery” e cila do të furnizojë shkollat e kryeqytetit me kifle për gjashtë muaj, ka dhënë çmimin më të ulët, 247.752.00 euro, bëhet e ditur në kontratën e publikuar nga Komuna e Prishtinës.

 

Por, mosrealizimin e premtimit të Shpend Ahmeti për shujta të nxehta për nxehësit, opozita në Prishtinë e ka quajtur edhe një dështim tjetër të Shpend Ahmetit.

Asamblisti në komunën e Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka thënë për lajmi.net se Shpend Ahmeti ka dështuar sërish në premtimet që i ka dhënë.

Ai po ashtu ka thënë se do të kërkojnë sqarime nga Ahemti në seancën e radhës për këtë dështim.

“Njësoj si shumë premtime tjera është edhe premtimi i radhës në të cilin Shpendi ka dështuar, në një formë na ka gënjyer të gjithëve, sepse në premtimet gjatë fushatës që i ka dhënë, ka qenë që shujtat tash e tutje të jenë të nxehta. Kuvendi e ka kryer punën e vet, me votimin që ka bërë për aksionaret dhe është themeluar një ndërmarrje e veçantë. Ne qysh po e shohim një projekt i tillë, shumë i rëndësishëm për nxënësit e shkollave është një dështim. Nëse mandatin e parë ka qenë një ndër mburrjet kryesore, kiflet për shkak që të paketën e ka sjellë një far minimum barazie për nxënësit, mandati i dytë ka qenë e paramenduar që kjo e mirë të evuloj dhe jo të mbes në stazën e njëjtë. Kështu që ne do t’i kërkojmë sqarime në seancën e radhës edhe për këtë dështim të tij e pastaj do të reagojmë edhe në forma te tjera”, ka thënë Azemi.

Edhe Leutrim Retkoceri, asamblistit në komunën e Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se si shumë premtime të tjera edhe ky nuk është realizuar dhe mbetet që të vlerësohet nga qytetarët.

Ai po ashtu ka thënë se shumë nxënës nuk janë duke i ngrënë këto kifle.

“Nëse nuk është tu e mbajt premtimin që e ka dhënë në kohë të fushatës kjo mbetet që të vlerësohet karshi votuesve të tij, që ju ka premtuar mandatin e kaluar se do të marrin shujta të nxehta dhe do të marrin diçka më shumë sesa kiflet që kanë marrë deri tani. Sepse kjo po vërehet se shumë nxënës nuk janë duke i ngrënë këto kifle dhe nuk janë duke iu përgjigjur kërkesës së tyre. Nuk janë as të shëndetshme, kjo është që mbetet të vlerësohet nga qytetarët për mos realizimin e premtimeve”, ka thënë Retkoceri

Ndryshe, shujtat me kifle dhe qumësht për nxënësit e shkollave të Prishtinës kanë filluar të shpërndahen nga viti 2015.

Prej atëherë, ka pasur shumë pakënaqësi rreth dhënies së tenderëve dhe operatorëve të cilët Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur.

Probleme me kontratat, ka pasur për qumështin, ku kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, akuzohej se po favorizonte kompani të caktuara.  /Lajmi.net/