Shpend Ahmeti: Debati i vërtetë për rrymën është sa u rrit varësia nga importet dhe sa kemi pagu ma shtrenjtë krejt na
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se debati rreth rrymës dhe Serbisë për të qenë i mirëfilltë duhet të bëhet mbi premisa të njëjta. “Në qoftë se nuk janë të njëjta, atëherë debati as nuk është i mirë e as i sinqertë nga asnjëra palë”, thotë ai. Duke i listuar, Ahmeti tha se janë tri…
Lajme
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se debati rreth rrymës dhe Serbisë për të qenë i mirëfilltë duhet të bëhet mbi premisa të njëjta.
“Në qoftë se nuk janë të njëjta, atëherë debati as nuk është i mirë e as i sinqertë nga asnjëra palë”, thotë ai.
Duke i listuar, Ahmeti tha se janë tri debate të ndryshme që po debatohen si një dhe duhet bërë dallimin për të kuptuar se a po flasim për të njëjtën gjë.
“1. Origjina e rrymës – ku është prodhuar – pra lokacioni se ku është prodhuar rryma e blerë.
2. Tregtuesi (trader i rrymës) – kompania prej së cilës blejmë rrymë. Pra rryma mundet me u ble me origjinë nga Danimarka por mundet me na e shti kompania e Vuk Hamoviqit
3. Prej nga vjen rryma – meqenëse Serbia është fqinj i parë dhe ka interkoneksion të mirë është e pashmangshme që një pjesë e rrymës me na ardhë përmes rrjetit të Serbisë”.
Ahmeti tha se në qoftë se partitë apo analistët e akuzojnë njëra-tjetrën se po blejnë rrymë nga Serbia është mirë të qartësohet për cilën e kanë fjalën.
“Përndryshe qëllimin e kanë me fitu vota mbi shtrembërime. E tash, për mua këto lart nuk kanë rëndësi. Nga aspekti i sigurisë është mirë në periudhë afatmesme e afatgjatë është mirë me zvogëlu varësinë nga shtetet që munden me ta ndalë furnizimin”.
Ai shtoi se rryma është domosdoshmëri, shpenzim i konsiderueshëm për shpenzimet familjare dhe është përcaktues ekzistencial i mbijetesës së bizneseve.
“Edhe më me rëndësi janë tri gjana – kostoja, kostoja dhe kostoja”.
Debat i vërtetë për Ahmetin është ai ku folët se sa është rritur varësia nga importet dhe sa kanë paguar qytetarët më shtrenjtë për rrymën.
“Për mua debat shumë më i rëndësishëm janë (mos)sabotimi i kapaciteteve. Vonesat në kapacitete të reja, ndaljet në kapacitetet ekzistuese sa na e kanë rrit varësinë nga importet dhe sa kemi pagu ma shtrenjtë krejt na. Kjo është debat i vërtetë. Ato më lart janë emocionale pa mundësi të zgjidhjeve konkrete. Këto më poshtë janë diskutime reale me kosto reale për secilin prej neve”, tha ai