​Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, ky konsiderohet skenari më real për formimin e qeverisë

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, skenari më real për formimin e qeverisë po konsiderohet që Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese, Nisma Socialdemokrate që ka fituar tre deputetë dhe komunitetet jo serbe të formojnë qeverinë e pakicës me 61 deputetë. Sipas politolgout, Seb Bytyqi të gjitha kombinatorikat ekzistojnë që partia Albin…

Lajme

16/03/2025 13:15

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, skenari më real për formimin e qeverisë po konsiderohet që Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese, Nisma Socialdemokrate që ka fituar tre deputetë dhe komunitetet jo serbe të formojnë qeverinë e pakicës me 61 deputetë. Sipas politolgout, Seb Bytyqi të gjitha kombinatorikat ekzistojnë që partia Albin Kurtit të formojë qeverinë, derisa shprehet më skeptik që një gjë e tillë të ndodh nga partitë të tjera.

Në baza të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, të cilës iu kishte bashkuar edhe Alternativa dhe Lëvizje Guxo, ka fituar 42.30 për qind, PDK-ja 20.95 për qind, LDK-ja 18.27 për qind, si dhe AAK-NISMA 7.06 për qind.

Sipas kësaj, LVV-ja ka fituar 48 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, LDK-ja 20 deputetë, AAK-Nisma tetë deputetë, si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

Bytyqi thotë se në baza të këqyre numrave, sipas të gjitha gjasave qeveria e ardhshme do të formohet nga LVV-ja, Nisma dhe komunitetet jo serbe.

Ai nuk e përjashton mundësinë që krahas tre deputetëve të Nismës, të bashkohet në koalicion edhe AAK-ja me pesë deputetë, pavarësisht deklaratave të liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj se një gjë e tillë nuk mund të ndodh.

Bytyqi është më skeptik për një bashkëpunim mes LVV-së dhe dy partive të tjera më të mëdha, PDK ose LDK.

“Logjikisht duhet të sigurohen 61 deputetë, tash te numri 61 mund të arrihet në mënyra të ndryshme. Përmes koalicioneve të ndryshme ose përmes ajo që quhet qeveri e pakicës, pra nëse votohet qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje, pastaj partitë tjera nuk futen në koalicion, thjesht e votojnë në mënyrë që të funksionoj qeveria, por dihet që pastaj kjo qeveri do të kishte probleme për aprovimin e ligjeve. Mirëpo, numrat ekzistojnë që ka permutacione të ndryshme që të bëhet një koalicion të paktën 61 deputetë, e kemi shembull Nisma me 3 deputet që mund ta çoj numrin deri në 61, e kemi AAK por edhe partitë tjera. Pra, do të zgjidhjet një nga këto permutacione që e dërgon numrin në 61. Sipas traditës politike që njihet edhe në politikologji, ajo që ndodh është që zakonisht shkohet me partinë më të vogël të mundshme e që në këtë rast i bie që të jetë Nisma e që sipas të gjitha gjasave mundësitë janë më të mëdha për këtë koalicion”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se mundësia ekziston që opozita të formojë qeverinë, mirëpo sipas tij, gjasat për një gjë të tillë janë të vogla.

Gatishmërinë për formimin e qeverisë nga opozita e kanë shprehur në lidershipin e PDK-së, madje sipas tyre kanë pasur disa takime me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Më i tërhequr në këtë ide është shfaqur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se duhet pritur ezaurimun e mandatarit nga partia fituese LVV-ja, e më pastaj të flitet për një mundësi të tillë.

“Kjo mundësi ekziston, por gjasat më të mëdha që të formohet qeveria e re me një koalicion me parti të vogël, kurse shkuarja në opozitë e Vetëvendosjes nuk mendoj se është një mundësi që është e pëlqyeshme. Sepse edhe partitë opozitare po presin që të rriten më shumë, edhe gjithashtu si me thënë kushtet të ndryshme që i vendosin njëra-tjetrës nuk është lehtë që të formohet një qeveri nga partitë opozitare…Ajo mundësi ekziston sepse ka pretendime të vazhdueshme për formimin e qeverisë nga opozita, por ende është herët të flitet për një opozitë të tillë konkretisht sepse ekzistojnë numrat kombinatorikat që Vetëvendosje ta formojë qeverinë. Përderisa nuk ndodh ajo dhe nëse për çfarëdo arsyeje Vetëvendosja e sheh më të volitshme të shkoj në opozitë, ndoshta do të shkoj në opozitë. Mirëpo, nuk e shoh shumë të mundshme shumë këtë opsion”, shton Bytyçi.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare dje më 15 mars. Hapi tjetër, pas shpalljes së rezultateve është certifikimi i tyre, me të cilin edhe nisin afatet zyrtare për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, politologu, Seb Bytyqi flet edhe për mesazhet që i dha shefi i NATO-s, Mark Rutte gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Sipas tij, vizita e Rutte në Kosovë mund të shihet si një mesazh për stabilitet në vend dhe rajon.

Deklarimin e Rutte për arritjen e një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë, ai e sheh më shumë si nevojë që përmes kompromiseve politike të zgjidhen mosmarrëveshjet në rajon.

“Mendoj se mesazhet e tij pra janë në linjë me atë që ka ndodhur edhe më herët ku vazhdimisht bëhet thirrje për kompromis, edhe vetë vizita e tij mund të shihet si një mesazh për stabilitet, për përkushtimin e NATO-së për stabilitetin në rajon, por gjithashtu edhe për nevojën për kompromise politike në mënyrë që të zgjidhen mos marrëveshjet përmes dialogut. Mirëpo, nëse flasim për stabilitetin rajonal ajo çka duhet të vëzhgojmë është situata në Serbi, jo aq shumë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse është diçka që prodhon jo stabilitet është situata e brendshme në Serbi”, thekson Bytyçi.

Krahas kësaj, ai thotë Ballkani Perëndimor po ballafaqohet me sfida të sigurisë, derisa përmend situatën në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe protestat madhore në Serbi.

Sipas tij, edhe Rusia mund të prodhojë ndonjë krizë në rajon.

“Fatmirësisht pati një reagim ndaj veprimeve të fundit të Dodik edhe nga sekretari I shtetit, Rubio por edhe vizita e sekretarit të NATO-së, Rutte ishte një mesazh i fortë. Mirëpo përpjekjet e Dodik, përpjekjet e presidentit Vuçiq për t’i minuar shtetet e rajonit, kriza e brendshme në Serbi që mund ta qoj në një situatë ku shembull regjimi në Serbi shkakton kriza në rajon për të krijuar unitet të brendshëm. Gjithashtu, edhe trimërimi i Rusisë kohëve të fundit mund të prodhojnë një situatë krize në rajon. Vizitat dhe deklaratat e politikanëve perëndimor mund të shihen si një lloj përgjigje ndaj këtyre sfidave edhe pse nuk duhet të mjaftohemi vetëm me deklarata dhe vetëm me vizita”, përfundon ai.